Nga konferenca për shtyp e Andonovit: Të gjitha kompanitë e licencuara të aplikojnë në thirrjen publike të EMV Shitje për dërgimin e gazit natyror, më shumë oferta për një çmim më konkurrues



Në konferencën e sotme për shtyp në të cilën mbajti fjalim bashkëpunëtori për energjetikë, Viktor Andonov, u shpërndanë informacionet më të fundit për situatën energjetike në vend.

“Gjatë ditës së djeshme janë prodhuar gjithsej 15,554 Mwh energji elektrike, prej të cilave 11,798 Mwh janë nga termocentralet, ndërsa 3756 Mwh nga burimet e ripërtërishme të energjisë. Ky prodhim i energjisë elektrike është i dedikuar për amvisëri dhe konsumatorë të vegjël, si dhe për nevojat e furnizimeve shtesë për shkollat, industrinë ushqimore dhe subjektet vitale shtetërore”, tha Andonov.

Në fjalimin e tij, Andonov theksoi se gjatë ditës së djeshme EMV Shitje shpalli thirrje për mbledhjen e ofertave për furnizim me gaz natyror për muajin mars për impiantet e ngrohjes dhe konsumatorët e tjerë në vend dhe shpjegoi detajet e thirrjes.
“Për këtë thirrje publike mund të aplikojnë të gjitha kompanitë vendore dhe të huaja të licencuara dhe të regjistruara për aktivitetin që kanë mundësi të sigurojnë dhe ofrojnë gaz për muajin mars të vitit 2023. Thirrja publike zgjat deri më 24.02.

Kompanitë duhet të paraqesin të dhëna për ofertën e tyre në lidhje me karakteristikat teknike të gazit, vendin e origjinës, garancinë, çmimin fiks për Mwh, sasinë totale të ofruar dhe një deklaratë nga një person përgjegjës i ofruesit që ai mund të sigurojë sasitë e specifikuara në periudha për të cilën është dhënë oferta, gjegjësisht për muajin mars, në pikën e dorëzimit, stacioni kryesor matës Zhidillovë, Republika e Maqedonisë së Veriut.
 
Ftoj të gjitha kompanitë e interesuara që mund të ofrojnë sasitë e nevojshme të kërkuara në thirrje të aplikojnë për thirrjen publike brenda 2 ditëve në vijim. Është në interes të qytetarëve që të ketë më shumë oferta dhe kushte konkurruese për të siguruar ofertë sa më të favorshme”, shtoi Andonov.
Njëkohësisht, ai apeloi tek qytetarët që plotësojnë kushtet e shpallura në thirrjen publike nga Ministria e Ekonomisë, e cila është ende aktive dhe ka të bëjë me subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, të aplikojnë në thirrjen publike dhe t’i realizojnë të drejtat e tyre.
“Qeveria ka dhënë gati 1 milion euro për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike të amvisërive me të ardhura të ulëta. Subvencionimi varion nga 600 deri në 800 denarë në llogari në varësi të kategorisë së cilës i takojnë.Të gjitha informacionet e nevojshme i gjeni në ueb faqen e Ministrisë së Ekonomisë”, tha bashkëpunëtori për energjetikë Viktor Andonov.