Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot realizoi takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit amerikan, të cilët janë të interesuar për të investuar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Delegacioni i afaristëve amerikanë udhëhiqej nga Erik Mejer, zëvendës shef i misionit në Ambasadën SHBA-së në Shkup, si dhe përfaqësues të posaçëm nga Departamenti i Shtetit.
Temë e bisedës në takimin e sotëm ishin kushtet për investim në vend, veçanërisht në fushën e energjisë së gjelbër, si dhe përfitimet që vendi ofron për investitorët.
Duke përshëndetur interesimin e kompanive amerikane për investime në këtë vend, kryeministri Kovaçevski inkurajoi afaristët e pranishëm që të shqyrtojnë mundësitë për investime në sektorë të ndryshëm.
Ai theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut tashmë njihet nga investitorët tjerë si destinacion stabil dhe i sigurt për investime
Kovaçevski i informoi të pranishmit se sipas legjislacionit aktual, mbështetja e përgjithshme financiare që mund të paguhet nuk mund të tejkalojë 50 për qind të shumës së realizuar të arsyeeshme të shpenzimeve investive.
Ai përmendi lehtësimet për investitorët e huaj, si: kthimin e kostove të investimit, përjashtimin nga pagesa e taksave komunale për vetëqeverisjen lokale dhe taksat për tokë për leje ndërtimi, si dhe lehtësimet lidhur me tatimet.
Kovaçevski i njoftoi përfaqësuesit e kompanive amerikane se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme do të përqëndrohet në lidhjen e plotë rajonale rrugore, hekurudhore, të infrastrukturës dhe energjetike.
Për këtë qëllim, kryeministri në takim foli për projektet, realizimi i të cilave është në zhvillim e sipër, si dhe për planet e ardhshme për lidhjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Në takim morën pjesë përfaqësues nga Eksim Bank, Fondi i Inovacionit energjetik të Bezos, Siemens Energji, nënkryetari i Asociacionit të biznesit SHBA-Evropa Qendrore e tjerë.