Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski mbajti konferencë për shtyp lidhur me vendimin e Qeverisë për ngrirjen e çmimeve të vezëve të pulës dhe orizit. Në konferencë për shtyp mori pjesë edhe ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
“Miratuam vendim për ngrirjen e mëtejshme të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, duke përfshirë vezët e pulës dhe orizin, ku çmimet më të larta të tyre do të mbeten në nivelin e çmimeve të aplikuara më 15 mars 2023 me vlefshmëri deri më 30 prill 2023”, deklaroi Kryeministri Kovaçevski, në konferencën e sotme për shtyp dhe shtoi se me këtë masë Qeveria vazhdon t'i plotësojë nevojat e qytetarëve.
Kryeministri sqaroi se gjatë periudhës së kaluar është përcaktuar rritje e konsiderueshme e çmimeve të orizit dhe vezëve, si rezultat i lëvizjeve lidhur me eksportin dhe importin e këtyre produkteve.
“Për këtë qëllim, ndërsa në vigjilje të festave të Pashkëve dhe Bajramit, me qëllim që të parandalohet një disbalancë eventuale në tregun vendor dhe mungesë e vezëve të pulës, prodhuesit, së paku 70 për qind të prodhimit vendor të vezëve do ta plasojnë në tregun vendor, ndërsa tregtarët me pakicë të vazhdojnë ta furnizojnë sasinë e zakonshme të vezëve që e kanë furnizuar në janar dhe shkurt 2023”, tha Kryeministri duke shtuar se këto masa janë të bazuara në fakte të argumentuara dhe analiza,
“Do të doja të them përsëri që i ndoqëm dhe do të vazhdojmë t’i ndjekim ngjarjet në tregjet vendore dhe botërore dhe se në mënyrë përkatëse, si Qeveri, do të reagojmë me mekanizmat tanë, me qëllim të mos lejojmë disbalanc në tregun vendor, gjë që do të reflektohej edhe mbi buxhetin familjar të qytetarëve”, tha Kryeministri.
Ai rikujtoi masat e deritanishme të Qeverisë për mbrojtjen e interesave të qytetarëve, gjegjësisht ngrirjen e çmimeve të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë, si dhe uljen për 15% të çmimeve të disa pastave dhe çmimeve të disa produkte qumështore për 10%.
“Dhe këto vendime, si dhe e sotmja, u miratuan në bazë të analizave të bëra më parë dhe janë në drejtim të mbrojtjes së interesave të qytetarëve dhe mbrojtjes së tregut të brendshëm nga shkeljet në aspektin e ofertës dhe kërkesës.
I ndjekim me kujdes reagimet në publik. Përfitoj nga rasti të them edhe një herë se ne do të veprojmë sipas nevojave dhe interesave të qytetarëve. Ne nuk do të lejojmë përfitime personale në kurrizin e qytetarëve. Prandaj po i marrim të gjitha këto masa, për t'ua lehtësuar qytetarëve dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për të gjithë në kushtet e një krize të tillë ekonomike dhe energjetike”, theksoi Kryeministri Kovaçevski në konferencën për shtyp.