Osmani nga Roma: Nevojiten vendime të menjëhershme e më të guximshme të BE-së për rajonin!

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot, në Romë mori pjesë në takimin ministror për Ballkanin Perëndimor, me ftesë të Zëvendëskryetarit të Qeverisë dhe Ministrit për Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani.

Në fjalimin e tij në seancën e parë të takimit ministror, ​​me titull “Procesi i integrimit evropian i Ballkanin Perëndimor: Rruga përpara”, Osmani iu referua domosdoshmërisë së vendosjes së një rruge të qartë për zgjerimet e ardhshme me vendet e rajonit, duke theksuar se ky është një interes thelbësor i sigurisë për Bashkimin Evropian.  Njëherit, nënvizoi se përskaj qëllimit përfundimtar për anëtarësim të plotë, nevojiten masa të përkohshme vizionare, por reale për përmirësimin e zhvillimit demokratik, për rritjen e mundësive ekonomike dhe inkurajimin e pajtimit në Ballkanin Perëndimor.

“Rrethanat e ndryshuara gjeostrategjike kërkojnë ndryshim dhe përshtatje të qasjes.  Ndonëse është e vërtetë se kohët e fundit ka pasur theks të shtuar mbi rëndësinë e zgjerimit, gjë për të cilën jemi mirënjohës, të gjithë jemi të pajtimit se kjo nuk është e mjaftueshme. 20 vjet pas Samitit në Selanik, BE-së urgjentisht i nevojitet vizion afatmesëm për rajonin tonë në kuadër të Unionit”, theksoi Osmani.

Në sesionin e dytë “BE-Ballkani Perëndimor: Forcimi i bashkëpunimit tonë”, Osmani e theksoi nevojën për zvogëlimin e hendekut ndërmjet vendeve të rajonit dhe vendeve anëtare të BE-së në aspektin ekonomik.

“I vlerësojmë përpjekjet e fundit të Italisë që të rrisë vetëdijen për sfidat dhe nevojat socio-ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe përpjekjet e Komisionit Evropian në kuadër të Planit Ekonomik të Investimeve dhe Paketës së BE-së për mbështetje në fushën e energjetikës për Ballkanin Perëndimor. Ajo që na nevojitet në të ardhmen e afërt janë vendime më të guximshme ndaj rajonit për shkak të interesit të ndërsjellë. Një rajon i mbetur në rënie ekonomike dhe status quo rrezikon të bëhet pjesë e ndjeshme për vetë Unionin në këto kohëra të pasigurta të arkitekturës së rrënuar të sigurisë së Kontinentit Evropian”.

Takimin ministror për Ballkanin Perëndimor e hapi Nënkryetari i Qeverisë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani, dhe përveç ministrit Osmani, mbajtën fjalim edhe Kryeministri dhe Ministri aktual i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Serbisë si dhe ai i Suedisë, në cilësinë e kryesuesit të BE-së.