Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani realizoi takim bilateral me homologun e tij italian, Antonio Tajani.
Në fokus të bisedimeve ishin procesi i anëtarësimit të vendit tonë në BE, dinamika rajonale dhe ripërtëritja e interesit për Iniciativën I8 ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Italisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë përgjatë Korridorit 8.
Ministri Osmani e përshëndeti fokusin e shtuar të Italisë drejt rajonit, i cili ka për qëllim riaktualizimin dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të vendeve të rajonit, duke promovuar njëherit dialogun dhe bashkëpunimin.
"Jemi dëshmuar si partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm i BE-së dhe NATO-s, kemi kontribuuar në mbështetjen e përbashkët ndajUkrainës, duke përfshirë edhe atë ushtarake, veprojmë me njohuritë dhe ekspertizën e skriningut të BE-së dhe jemi të vendosur të zbatojmë ndryshimet kushtetuese, për të hapur klasterin e parë, sa më parë që është e mundur”, e njoftoi Osmani bashkëbiseduesin.
Osmani rikonfirmoi interesimin tonë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Italisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë përmes Iniciativës I8, me qëllim të përshpejtimit të projekteve investuese infrastruktrore, energjetike, digjitale dhe komunikuese përgjatë rrugës së Korridorit VIII të transportit trans-evropian, i cili në në të njëjtën kohë do të shërbejë si një platformë politike për avancimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor social dhe të sigurisë.
Në takim u shkëmbyen mendime edhe rreth kryesimit tonë me OSBE-në dhe mbështetjes italiane në përballjen me sfidat aktuale të Organizatës.