Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, po merr pjesë në Takimin Ministror të NATO-s në Bruksel, ku në fokus është zgjerimi i Aleancës me Finlandën si shteti më i ri anëtar.
Para fillimit të takimit, Osmani e ka uruar anëtarësimin e Finlandës në NATO, duke e vlerësuar atë si një moment historik dhe një hap të rëndësishëm për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë transatlantike të të gjithë aleatëve.
“Maqedonia e Veriut, e cila sot titullin “Vendi më i ri anëtar i NATO-s” ia dorëzon aleatit të saj më të ri– Finlandës, mbetet mbështetëse e fuqishme e politikës së dyerve të hapura të NATO-s si një nga politikat më të suksesshme të Aleancës. Në arkitekturën e sotme komplekse të sigurisë, ky hap përfaqëson një konfirmim të fortë të unitetit të të gjithë aleatëve dhe një kontribut të rëndësishëm në sigurinë e përgjithshme transatlantike. Ne presim që të ketë progres sa më shpejt në aplikimin e Suedisë dhe vendi të bëhet pjesë e familjes transatlantike përpara Samitit të NATO-s në Vilnius” – theksoi Osmani.
Njëherit, Osmani theksoi mbështetjen e fuqishme politike dhe praktike për Ukrainën, e cila është në fokus të bisedimeve të Komisionit NATO-Ukrainë, në të cilën merr pjesë edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Dmytro Kuleba.