Një moment historik për Aleancën dhe një rrugë e vërtetë për siguri më të madhe të përbashkët. Anëtarësimi i Finlandës në NATO është një hap i rëndësishëm që do tа forcojë unitetin dhe aftësitë mbrojtëse të Aleancës.
Këtë e theksoi Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm Finlandez, Pekka Havisto, në margjinat e Takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel, ku Finlanda u bë zyrtarisht vendi i 31-të anëtar i Aleancës.
Osmani e përgëzoi Finlandën për anëtarësimin e saj në NATO, duke e vlerësuar atë si një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin e përgjithshëm transatlantik.
“Për tre vjet, Maqedonia e Veriut gëzoi privilegjin të jetë anëtarja më e re e NATO-s. Unë besoj se statusi i Finlandës si anëtarja më e re do të zgjasë shumë më pak se i yni. Pres me padurim ta mirëpres Suedinë në NATO para Samitit të Vilniusit”, tha Osmani.
Përveç NATO-s, në takimin me Haviston në fokus ishin edhe çështjet prioritare nga puna e OSBE-së gjatë presidencës së Maqedonisë së Veriut me Organizatën në vitin 2023. Në takim u theksua se në këtë situatë mjaft kritike gjeopolitike dhe në këto kohë sfidash të mëdha, OSBE-ja është dhe duhet të mbetet një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare për dialog.
“Maqedonia e Veriut vlerëson rolin dhe pjesëmarrjen e Finlandës në Trojkën e OSBE-së, si dhe bashkëpunimin që realizohet në të gjitha nivelet për funksionimin e OSBE-së”, theksoi Osmani në takim.
Për ta thelluar bashkëpunimin, duhet ta rivendosim respektin e plotë për angazhimet dhe parimet e pranuara bashkërisht nga Akti Final i Helsinkit dhe Karta e Parisit nga secili vend pjesëmarrës.
“Maqedonia e Veriut si kryesuese e OSBE-së e përfaqëson atë në çdo rast si përkrahës të vendosur dhe të konfirmuar për ruajtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, theksoi Osmani.
Në margjinat e Takimit Ministror të NATO-s, Osmani zhvilloi takime bilaterale me Ministrat e Punëve të Jashtme të Estonisë dhe Rumanisë, Urmas Reinsalu dhe Bogdan Auresku, si dhe me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Josep Borrell.