Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mori pjesë në takimin dyditor ministror të NATO-s, i cili u mbajt më 4 dhe 5 prill në Bruksel.
Takimi u mbajt në dritën e pranimit të Finlandës në Aleancë, duke demonstruar unitetin e fortë të të gjithë aleatëve dhe mbështetjen e vendosur për politikën e dyerve të hapura të NATO-s.
“Ky është një moment historik për të gjithë Aleancën, që na bën edhe më të fortë dhe më të sigurt, si dhe një hap domethënës për unitetin transatlantik. Anëtarësimi i Finlandës dërgon një mesazh të mirë për të gjitha vendet aspirante që ndajnë të njëjtat vlera. Presim që Suedia të na bashkohet në familjen transatlantike para Samitit të NATO-s në Vilnius”, tha Osmani.
Njëherit, Osmani theksoi nevojën për angazhim të përforcuar të NATO-s dhe BE-së në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se politika e dyerve të hapura të NATO-s dhe zgjerimi i BE-së paraqesin politika të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm rajonal dhe evropian.
Gjatë bisedave, ministrat e jashtëm trajtuan sfidat politike dhe të sigurisë me të cilat përballet Aleanca, si dhe përgatitjet për Samitin e ardhshëm të NATO-s në Vilnius.
Me këtë rast, u theksua uniteti i fortë i të gjitha vendeve aleate në dënimin e agresionit ushtarak rus, si dhe vendosmëria për të forcuar mbështetjen politike dhe praktike për Ukrainën. Në veçanti, u diskutuan mundësitë për rritjen e mbështetjes financiare për Ukrainën përmes Pakoja Gjithëpërfshirëse për Mbështetje, si dhe nevojat e Ukrainës për rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas konfliktit.