Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me zëvendëskryetarin e Parë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës Azir Aliu dhe ministrin e Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov, u takua sot me delegacion të kryesuar nga përfaqësuesi special dhe koordinatori i Departamentit Amerikan të Shtetit për Angazhimin Global, Xhejms Rubin dhe ambasadoren amerikane Anxhela P. Ageler.
Në takim, temë e bisedës ishte situata dhe lufta kundër dezinformatave, manipulimit të informacionit si dhe kërcënimeve të tjera në hapësirën informative të Ballkanit Perëndimor që organizohen nga vende të treta.
Në fokus të takimit ishte përforcimi i mbështetjes për iniciativat në luftën kundër dezinformimit dhe mënyra se si të dyja palët mund të bashkëpunojnë për të luftuar në mënyrë kolektive kërcënimet në hapësirën e informacionit të Ballkanit Perëndimor. U theksua nevoja për rrjetëzimin e të gjithë partnerëve dhe palëve të interesuara si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë rajonal.
Kryeministri Kovacevski i theksoi aktivitetet që Qeveria e Maqedonisë së Veriut ndërmerr çdo ditë dhe strategjikisht në drejtim të ballafaqimit me efektet e dëmshme të dezinformatave dhe theksoi se bota demokratike është nën sulm të vazhdueshëm nga qendrat propagandistike që kanë për qëllim të fusin frikë dhe pasiguri në popullatës, për t'i minuar demokracitë dhe në mënyrë të pandershme, manipuluese, në dëm të interesit publik dhe mirëqenies së qytetarëve, për të përhapur ndikime te të tretët.
"Qeveria qëndron e vendosur në kundërshtimin e dezinformatave dhe krijon vazhdimisht partneritete në këtë betejë globale, me partnerë strategjikë, me shërbime të pavarura të verifikimit të fakteve, me institucionet vendase, me organizatat mediatike dhe me median. Vetëm me qasje të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse të të gjitha palëve të interesit në shoqëri do të mund të përballemi me veprimet e dëmshme të dezinformatave", theksoi Kryeministri Kovaçevski.