Takimi Osmani - Albarez: Negociatat duhet të vazhdojnë gjatë Kryesimit të BE-së nga Spanja

Sot, Ministri i Punëve të Jashtme, BE-së dhe Bashkëpunimit i Mbretërisë së Spanjës, Hoze Manuel Albarez Bueno, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ka qëndruar për vizitë pune në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Osmani shprehu kënaqësinë që kjo vizitë e parë historike dypalëshe e një Ministri të Punëve të Jashtme nga Mbretëria e Spanjës në vendin tonë po ndodh në prag të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike vitin e ardhshëm mes dy vendeve dhe po ashtu në prag të marrjes së kryesimit të BE-së nga Madridi, si një mesazh i fuqishëm mbështetjeje për rrugën tonë europiane.

Duke falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Madridit zyrtar për procesin tonë integrues europian, Ministri Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve të nevojshme për vazhdimin e procesit të negociatave për anëtarësim, si investim në të ardhmen tonë.

“Vizita ndodh në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe dosjen tonë europiane. Më lejoni t'ju kujtoj se më 1 korrik, Spanja do ta merr kryesimin e Bashkimit Europian nga Suedia; periudhë kyçe për ne, kur sipas planit përfundon procesi i skriningut dhe vendi duhet të hyjë në fazën e re të negociatave, që është hapja e klasterëve dhe kapitujve”, theksoi Osmani.

Për këtë qëllim, të dy ministrat nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Spanjës për zhvillimin e bashkëpunimit në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.

Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin në kuadër të OSBE-së në frymën e kontekstit aktual gjeopolitik, ku Osmani, në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, theksoi se Ukraina mbetet prioriteti i parë i kryesimit të Organizatës. Osmani e informoi bashkëbiseduesin se tashmë është krijuar komunikim dhe bashkëpunim i ngushtë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së dhe Nënkryetarin e Komisionit Europian, Josep Borrell, dhe shprehu gatishmërinë për sinergji dhe veprim të sinkronizuar të dy kryesimeve - OSBE-së dhe Këshillit të BE-së deri në fund të vitit 2023.

Ministrat diskutuan gjithashtu për mundësitë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike, mbështetjen e ndërsjellë në organizatat shumëpalëshe dhe bashkëpunimin sektorial ndërmjet dy vendeve, si dhe shkëmbyen mendime mbi zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nismat rajonale si formë e rritjes së besimit të ndërsjellë dhe tejkalimin e hapjes së çështjeve dypalëshe mes fqinjëve.