Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në Bruksel foli para anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), në agjendën e të cilit ishte procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE.
Osmani foli për hapin historik që vendi ynë e bëri me fillimin e negociatave për anëtarësim vitin e kaluar, gjë që kërkonte guxim politik për të arritur qëllimin tonë të parë strategjik - anëtarësimin në BE, në interes të qytetarëve tanë.
“Jam plotësisht i vetëdijshëm për dilemat dhe frikën e bashkëqytetarëve të mi. I respektoj ata dhe vazhdimisht përpiqem të debatoj me argumente. Kemi një mundësi të pa përsëritshme që përfundimisht t'i kapërcejmë çështjet dhe ta forcojmë besimin, respektin dhe misionin tonë të përbashkët. Për momentin, kjo nuk dallohet mirë, por së shpejti do të përballemi, secili në mënyrën e vet, me përgjegjësi. Përpara drejt Europës me më shumë integrim përgjatë rrugës drejt anëtarësimit të plotë ose sërish kthim mbrapa dhe kohë e humbur”, tha Osmani.
Ministri i informoi eurodeputetët, anëtarët e Komisionit për ecurinë e suksesshme të procesit të skriningut të legjislacionit europian, duke rikonfirmuar angazhimin tonë për forcimin e funksionimit të institucioneve demokratike dhe sundimit të së drejtës, si fusha me rëndësi vendimtare për rrjedhën e mëtejshme të negociatave.
“Jemi të gatshëm të arrijmë konsensus midis partive politike për fushat kryesore të reformave dhe agjendës europiane, si dhe ta forcojmë bashkëpunimin me Komisionin për Çështje Evropiane dhe Këshillin Nacional për Euro-integrime, si forume për zhvillimin e një debati konstruktiv për reformat në BE dhe negociatat për anëtarësim”, theksoi Osmani.
Votimi i Projektrezolutës për Maqedoninë e Veriut për vitin 2022 në Komisionin është planifikuar për në fund të majit, ndërsa miratimi në seancën plenare të Parlamentit Europian pritet në mesin e qershorit të vitit 2023.