Mbështetja që Maqedonia e Veriut e merr nga Zvicra për kryesimin e OSBE-së është shumë e rëndësishme. Bashkëpunimi i shkëlqyeshëm i Misioneve të Përhershme në Vjenë, si dhe përkushtimi i Zvicrës për realizimin e prioriteteve që i kemi vendosur si vend kryesues, janë shtysë e fuqishme për punën tonë. Qëllimi ynë i përbashkët është të sigurojmë funksionalitetin e plotë të OSBE-së. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të arrihet një qëndrim i unifikuar në lidhje me sfidat kryesore me të cilat përballet OSBE-ja, përkatësisht sigurimin e funksionalitetit politik, ekzekutiv dhe financiar të OSBE-së. Ky është një prioritet për të cilin Maqedonia e Veriut është e përkushtuar fuqishëm në kuadër të kryesimit në vitin 2023.
Këtë e theksoi Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në takimin e sotëm me Ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Ignazio Kassis, që u zhvillua në Nju Jork. Këtë muaj, Zvicra mori Kryesimin e radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, i cili mblidhet sot.
“Ftesa, të cilën e kam marrë për t’i prezantuar prioritetet e Kryesimit të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit është e një rëndësie të madhe për ne, veçanërisht në periudhën kur shënojmë 30-vjetorin e bashkëpunimit të OKB-së me OSBE-në, si dhe 30 vjet anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në OKB”, tha Osmani në takimin me Kassisin.
Në këtë drejtim, Osmani kërkoi mbështetje nga kolegu i tij zviceran në trajtimin e çështjeve urgjente që ndikojnë në funksionalitetin e OSBE-së, siç është zgjedhja e vendit kryesues për vitin 2024 dhe miratimi i buxhetit.
Osmani e informoi Kassisin për vizitën e tij të fundit në rajonin e Kaukazit Jugor në cilësinë e Кryesuesit të OSBE-së dhe për planet e ardhshme, si dhe pse një Organizatë e fuqishme dhe e bashkuar është çelësi për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në rajonin më të gjerë të OSBE-së.