Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij të punës në Irlandë, mbajti fjalim para Komisionit për Çështje të BE-së në Parlamentin irlandez.
Osmani i njoftoi deputetët irlandezë, anëtarë të Komisionit për Çështje të BE-së, për procesin tonë të integrimit europian, duke kujtuar se në gati dy dekadat e fundit, shteti ka qenë partner i dëshmuar dhe i besueshëm i Unionit, me harmonizim 100% me Politikën e Përbashkët për Punë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, një aleat i besueshëm në NATO dhe anëtar i përgjegjshëm i komunitetit ndërkombëtar përmes kryesimit të OSBE-së në kontekstin aktual jostabil gjeopolitik.
“Maqedonia e Veriut ka dëshmuar përkushtimin e saj ndaj prioritetit të parë të politikës së jashtme – anëtarësimi në BE – me politikat e veta të zgjuara dhe vizionare paqedashëse në 30 vitet e fundit brenda kufijve të saj, ndaj fqinjëve të saj dhe në nivel ndërkombëtar, duke ndërtuar demokraci multietnike përmes kulturës së dialogut, zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve bilaterale, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal dhe me respekt të veçantë për rendin ndërkombëtar të bazuar në vlera dhe norma”, tha Osmani.
Duke folur për sfidat që na presin në rrugën drejt anëtarësimit në BE deri në vitin 2030, Ministri Osmani theksoi se është e nevojshme t'i jepet Maqedonisë së Veriut një mundësi për t'u afruar me BE-në përmes masave konkrete afatshkurtra, gjatë procesit të anëtarësimit, e cila në këmbim do të rrisë besimin e qytetarëve në sigurinë e qëllimit përfundimtar – anëtarësimin e plotë në BE.
“Maqedonia e Veriut asnjëherë nuk ka marrë rrugën më të shkurtër lidhur me përmbushjen e kritereve për hyrje në BE dhe do të vazhdojë të ecë e sigurt, duke siguruar të ardhmen e qytetarëve të saj dhe progresin e vendit, përmes zbatimit të agjendës së reformave, por pikërisht për këtë arsye, duhet të injektojmë më shumë kredibilitet në proces, duke nënkuptuar më shumë integrim përpara anëtarësimit.” – përfundoi Osmani.