Sot, më 10 maj 2023, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndodhet për vizitë pune në Irlandë, me ftesë të kolegut të tij irlandez, Micheal Martin, i cili i kryen funksionet e Zëvendëskryeministrit, Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Ministrit të Mbrojtjes të Irlandës.
Në takimin me homologun e tij, Osmani u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme dhe të zëshme që Irlanda i jep vendit tonë në përpjekjet e saj për anëtarësim sa më të shpejtë në BE, e cila daton që në fillimet e rrugës sonë të integrimit europian, kur gjatë Kryesimit të BE-së nga Irlanda në vitin 2004, ne dorëzuam kërkesën tonë për anëtarësim në BE.
“Kemi vendosur vitin 2030 si objektiv për anëtarësim të plotë në BE, për zbatimin e të cilit po investojmë të gjitha burimet në shtet dhe shoqëri. Duam ta pasqyrojmë historinë e suksesshme europiane, respektivisht ndjekim shembullin e Irlandës dhe të arrijmë prosperitetin dhe nivelin e demokracisë, për të cilën integrimi europian është shtysa jonë më e fuqishme”, theksoi Osmani.
Osmani iu referua edhe domosdoshmërisë së përfitimeve afatshkurtra të dukshme dhe të prekshme në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE, të cilat do t'u mundësojnë qytetarëve të ndjejnë afrimin në aspektin ekonomiko-social dhe në të njëjtën kohë do të sjellë kredibilitet më të madh lidhur me procesin e anëtarësimit.
Në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, Osmani e njoftoi bashkëbiseduesin me aktualitetin në lidhje me kryesimin tonë me OSBE-në, aktivitetet e realizuara dhe të planifikuara në të ardhmen përmes prizmit të prioriteteve të përcaktuara, si dhe me sfidat aktuale me të cilat përballet OSBE-ja.
Gjatë vizitës, Ministri Osmani pati takim me Ministrin Shtetëror për Çështje Europiane dhe i Mbrojtjes, Peter Burke, në të cilin u shkëmbyen mendime rreth aktualitetit në lidhje me dosjen tonë të BE-së.
Osmani njoftoi për progresin e Maqedonisë së Veriut, procesin e skriningut që ka filluar dhe nivelin e lartë të gatishmërisë së kapaciteteve institucionale për zbatimin e suksesshëm të tij, duke theksuar përcaktimin e Qeverisë që deri në fund të këtij viti të finalizojë ndryshimet kushtetuese, si angazhim i jonë, me qëllim hapjen e klasterit të parë “Fundamente” dhe për dinamizimin e procesit të anëtarësimit.
Ministri Osmani e rikonfirmoi pozitën e shtetit si partner i përgjegjshëm dhe i besueshëm i BE-së dhe NATO-s, në harmonizim të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, me mbështetje të konsiderueshme për Ukrainën.