Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski arriti në Samitin e katërt të Këshillit të Evropës, në Rejkjavik të Islandës.
Si pjesë e delegacionit të kryesuar nga Kryeministri është Bojan Mariçiq zëvendëskryetar i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane.
Kryeministri Kovaçevski në hapjen e Samitit u prit nga Kryeministrja e Islandës, Katrin Jakobsdotir dhe Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq.
Në Samitin e katërt të Këshillit të Evropës, i cili po zhvillohet këtë vit në Rejkjavik, liderët do të diskutojnë tema që lidhen me paqen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, veçanërisht në këto kohë të vështira kur jo vetëm një shtetështë sulmuar në Evropë, por janë sulmuar parimet demokratike dhe vlerat e rendit ndërkombëtar.
Qëllimi i Samitit është të bashkojë shtetet anëtare drejt parimeve të demokracisë, duke siguruar një kuptim të qartë të përbashkët se si ne e sigurojmë dhe përforcojmë demokracinë në Evropë. Kjo është arsyeja pse Agjenda e Samitit, përveç hapjes zyrtare, përfshin diskutime në tryeza të rrumbullakëta për tema të ndryshme si të drejtat e njeriut, demokracia, sundimi i së drejtës, mjedisi jetësor, inteligjenca artificiale dhe zhvillimi digjital, si dhe darkë pune që do të t'i kushtohet Ukrainës.
Në fund të Samitit, Islanda do t'i dorëzojë zyrtarisht Letonisë kryesimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Letonia është shteti i ardhshëm anëtar që do të kryesojë Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për një periudhë prej gjashtë muajsh.