Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot, më 17 maj 2023 (e mërkurë), në ditën e dytë të Samitit të Këshillit të Evropës në Rejkjavík, do të mbajë prezantimin e tij në debatin e përgjithshëm me temën “Të bashkuar për Evropën” i cili do të fillojë në orën 11: 00 dhe zgjat deri në orën 14:30 me orën e Maqedonisë.
Në Debatin e Përgjithshëm fjalën hapëse do të mbajnë kryeministri i Islandës Jakobsdotir, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, Pejçinoviq-Buriq, si dhe kryetarja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tini Koks, e më pas është planifikuar që të 46 udhëheqësit e shteteve të marrin pjesë në Samit.
Fjalimin e kryeministrit Kovaçevski mund ta ndiqni drejtpërdrejt përmes linqeve të mëposhtme:
Fjalimi i Kryeministrit Kovaçevski në gjuhën maqedonase
Fjalimi i Kryeministrit Kovaçevski në shqip
Fjalimi i Kryeministrit Kovaçevski në anglisht
Samiti i katërt i Këshillit të Evropës, i cili këtë vit zhvillohet në Rejkjavík, i kushtohet Ukrainës dhe i referohet paqes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, veçanërisht në këto kohë të vështira kur në Evropë nuk sulmohet vetëm një vend, por sulmohen parimet dhe vlerat demokratike të rendit ndërkombëtar.
Qëllimi i Samitit është të bashkojë shtetet anëtare drejt parimeve të demokracisë, duke siguruar një kuptim të qartë të përbashkët se si ne e sigurojmë dhe forcojmë demokracinë në Evropë.
Në rend dite të Samitit të katërt të Këshillit është krijimi i një Regjistri për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe për riafirmimin dhe avancimin e vlerave bazë: të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e së drejtës.
Në fund të Samitit, Islanda do t'i dorëzojë zyrtarisht Letonisë kryesimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.
Letonia është shteti i ardhshëm anëtar që do të kryesojë Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës për një periudhë gjashtëmujore.