Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në një bisedë telefonike me kryeministren e Italisë, Xhorxhia Meloni, ka biseduar për çështjet aktuale për shtetin tonë dhe për rajonin.
Në fokus të bisedës telefonike, ndërmjet Kovaçevskit dhe Melonit, ishte patrullimi i ardhshëm mbi qiellin e Maqedonisë së Veriut, nga ana e forcave ajrore italiane. Ky proces është sipas parimeve të NATO-s për zëvendësim, ndërsa kryeministrat biseduan rreth harmonizimit të nevojshëm teknik mes dy shteteve, pas nënshkrimit të së cilës Italia edhe zyrtarisht do të përfshihet në këtë mision të NATO-s mbi qiellin e Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Kovaçevski, shprehu keqardhje për viktimat në vërshimet të cilat kapluan disa pjesë të Italisë këtë muaj, për çka Maqedonia e Veriut tashmë ofroi ekipe për ndihmë në sanimin e pasojave, në formën siç është e nevojshme dhe mundur.
Kryeministri Kovaçevski falënderoi për forcimin e rolit dhe lidershipit të Italisë, kur bëhet fjalë për perspektivat evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, gjegjësisht për faktin që Qeveria e re, e udhëhequr nga kryeministrja Meloni, e vendosi Ballkanin Perëndimor lart në prioritetet e politikës së jashtme. Në bisedë u theksua se Italia mbështet plotësisht integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO dhe se procesi i bashkimit evropian nuk do të jetë i plotë pa vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kovaçevski dhe Meloni, siç është bërë e ditur në kumtesë, e theksuan rëndësinë e hapit të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut në integrimet evropiane, me pritje të shprehur që të gjithë liderët dhe subjektet politike në vend ta kenë parasysh rëndësinë e procesit të integrimeve evropiane.
Në bisedën telefonike, Kryeministri Kovaçevski e përfshëndeti vendimin e Bashkimit Evropian me të cilin projekti infrastrukturor strategjik Korridori 8 hyri në rrjetin e korridoreve kryesore në rajon dhe në Evropë.
Në këtë drejtim, Kryeministri Kovaçevski theksoi rolin e rëndësishëm të Italisë në theksimin e rëndësisë së Korridorit 8, për realizimin e të cilit është fuqishëm e përkushtuar edhe Maqedonia e Veriut.
Në bisedë është konstatuar edhe se këtë vit Maqedonia e Veriut dhe Italia shënojnë 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, që është jubile i madh i cili jep motiv për bashkëpunim të mëtutjeshëm të përforcuar.
Vlerësohet se marrëdhëniet politike janë tradicionalisht të mira dhe miqësore, ndërsa bashkëpunimi ekonomik e ruan trendin afatgjatë në të cilin Italia është vazhdimisht në listën e dhjetë vendeve me të cilat Republika e Maqedonisë së Veriut ka vëllimin më të madh të tregtisë.