Osmani në Bratisllavë me takime të shumta bilaterale

Takime të shumta bilaterale të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në ditën e parë të pjesëmarrjes në Forumin e Sigurisë GlobSec në Bratisllavë, përfshirë edhe me Pjer Ejbronin, Të Dërguarin Special të Francës për Rindërtim dhe Ndihmë për Ukrainën, nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës.

Në fokus të bisedimeve ishte procesi i anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku Osmani rikonfirmoi zotimin për zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor si e vetmja rrugë drejt progresit dhe të ardhmes evropiane. Në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, Osmani i njoftoi bashkëbiseduesit për përpjekjet e Organizatës për prioritetin numër 1.

“OSBE-ja është e pranishme në Ukrainë, e mbështet popullin ukrainas dhe vëzhgon nga afër situatën. Kryesimi i OSBE-së nga Maqedonia e Veriut do t'i vë në dispozicion të gjithë mekanizmat e OSBE-së për sigurimin e paqes dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare humanitare nga ana e Rusisë", theksoi ai.

Ministri realizoi takim edhe me Svetlana Tihanovskaja, përfaqësuese e opozitës bjelloruse, në të cilën e theksoi mbështetjen për popullin bjellorus në luftën për demokraci dhe liri, duke theksuar nevojën për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë të burgosurve politikë nga regjimi i Lukashenkos.

Gjatë ditës së nesërme, Osmani do të ketë fjalim në panelin kushtuar të ardhmes së zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe do të marrë pjesë edhe në tryeza të tjera të rrumbullakëta dhe panel diskutime. Në agjendën e Osmanit gjatë qëndrimit në Bratisllavë janë edhe takime të shumta bilaterale me kolegët e tij.