Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot ka marrë pjesë në diskutimin e organizuar nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme (ECFR) me temë: “Si të binden evropianët për zgjerimin e BE-së”. Si bazë diskutimi, në të cilin mori pjesë Osmani bashkë me Like Fris, Bashkëkryesuese e ECFR-së dhe Drejtore e think tank-ut danez “Europa”, dhe Engjëllushe Morina, Analiste politike pranë ECFR-së, është hulumtimi i ECFR-së, e cila u publikua sot dhe u publikua në gjashtë vende anëtare të BE-së (Gjermani, Francë, Danimarkë, Austri, Poloni, Rumani) para Samitit të Unionit të kësaj jave ku do të diskutohet për zgjerimin.
“Sot, më shumë se kurrë më parë, ekziston një imperativ gjeopolitik për zgjerimin e BE-së. Të mos harrojmë se edhe Ballkani është në “vijën e zjarrit” duke mbrojtur vlerat liberale të Perëndimit, duke u bërë njëkohësisht edhe cak i ndikimeve të huaja dashakeqëse me pasoja të mëdha për të gjithë kontinentin europian. Prandaj, qasja e BE-së duhet të rishqyrtohet dhe të lejojë një proces të përshpejtuar evropian me përfitime të menjëhershme dhe të prekshme për ata kandidatë që i plotësojnë kushtet. Me këtë hap BE-ja do të fillojë të ndërtojë një mburojë gjeopolitike për të mbrojtur demokracinë e saj duke përfshirë vendet e mbetura të Evropës Juglindore”, tha Osmani.
Duke iu referuar anketës së opinionit publik në vendet anëtare të BE-së, Ministri Osmani u bëri thirrje liderëve të BE-së, por edhe vendeve kandidate, që me përpjekje të përbashkëta t’i bindin qytetarët dhe opinionin e gjerë evropian për interesin nga aderimi i shteteve tjera në të ardhmen. Osmani ndau edhe rezultatet e sondazheve të opinionit publik në vendin tonë, duke nënvizuar se periudha e gjatë e procesit të integrimit evropian dhe kushtet e mëparshme të natyrës bilaterale kanë shkaktuar trendin e rënies së mbështetjes së qytetarëve tanë për anëtarësim në BE. Në këtë kontekst, Osmani prezantoi tezën se zvarritja e procesit të anëtarësimit ka pasoja negative në dinamikën sociale, ndërsa efekti i integrimit të ngadaltë në BE sjell të a.q. “Varësia e zhvillimit” mes negociatave dhe reformave, me shenjë negative.
“Tendenca shqetësuese duhet shmangur duke ndryshuar narrativën, por edhe duke ndryshuar rregullat e lojës. Në vend që fokusi ynë të jetë në anëtarësimin si rezultat përfundimtar, BE-ja duhet t'u ofrojë qytetarëve tanë sa më shumë qëllime afatmesme dhe përfitime konkrete - kjo është arsyeja pse unë angazhohem për më shumë integrim përpara anëtarësimit formal, si përgjigja jonë ndaj konceptit të integrimit gradual”, theksoi Osmani.
Ai gjithashtu theksoi se ky koncept i anëtarësimit me faza, i cili po debatohet në të gjitha kryeqytetet evropiane dhe në Bruksel, është i nevojshëm që në ditët në vijim të materializohet në vendimet e Këshillit dhe të fillojë zbatimi i tij. Paketa bazë nënkupton të paktën pjesëmarrjen në mbledhjet sektoriale të Këshillit të BE-së pa të drejtë vote (status vëzhguesi) dhe pjesëmarrje në Tregun e Përbashkët, si dhe qasje në fondet strukturore dhe të kohezionit të BE-së.