Xhaferi për Report Tv: Samiti për Ballkanin Perëndimor në Tiranë ka të bëjë me përafrimin me vlerat evropiane, si parakusht për BE-në

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, gjatë vizitës së sotme në Tiranë, në një intervistë për Report TV, ka trajtuar disa çështje aktuale për Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndër të cilat edhe rëndësinë e Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian.
 
“Samiti i nesërm është vazhdim i samitit të mëparshëm në Shkup, një muaj më parë, pra është vazhdimësi e punës që duhet ta përfundojmë si përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në drejtim të harmonizimit të vlerave dhe parakushteve për anëtarësimi në BE. Dhe në çdo rast, për këtë do të debatohet edhe për tema që kanë të bëjnë me tregun e përbashkët europian, tregun e përbashkët rajonal dhe tema të ngjashme ekonomike, nga fusha e tregtisë”, tha Kryeministri Talat Xhaferi në një intervistë për Report Tv.

Kryetari i Qeverisë, Xhaferi, vlerësoi se ajo që për herë të parë në rajon mbahet një Samit për Ukrainën, është konfirmim për rolin e diplomacisë ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë. Në këtë drejtim, Kryeministri Xhaferi sugjeroi edhe për rëndësinë e Deklaratës që ai dhe Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski do ta nënshkruajnë në emër të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës.