Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, mori pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, i cili u mbajt në selinë e Aleancës në Bruksel. Në 75-vjetorin e themelimit të NATO-s, aleatët diskutuan një sërë çështjesh të rëndësishme, në përgatitje të vendimeve që do të miratohen në Samitin e NATO-s në Uashington, i cili do të mbahet në korrik.
“Ky është një takim i rëndësishëm ministror sepse bashkë me të gjithë aleatët, këtu në selinë në Bruksel, po shënojmë 75 vjetorin e formimit të Aleancës. Dhe ky përvjetor i rëndësishëm përkon me bashkimin e Suedisë në familjen tonë transatlantike. Ky është një konfirmim i fortë se politika e dyerve të hapura të NATO-s jo vetëm që është e gjallë, por edhe e forcuar dhe me fokus të fuqishëm në të gjitha vendet aleate” – tha Osmani.
Osmani theksoi se më shumë se kurrë më parë është koha për një dinamikë të re në integrimet europiane dhe euroatlantike të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se përshpejtimi i këtyre proceseve është kyç për t'iu kundërvënë synimeve ruse dhe për të konsoliduar stabilitetin e përgjithshëm.
“Rajoni ynë po bëhet gjithnjë e më shumë një fushë e garës gjeopolitike dhe Ballkani Perëndimor është në vijën e zjarrit të përplasjes së qytetërimeve mes Perëndimit dhe Lindjes. Agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës ka treguar se arkitektura e sigurisë në Europë është dëmtuar, dhe siç e kam theksuar edhe në raste të tjera, Ukraina është vetëm ndalesa e parë e ambicieve imperialiste ruse. Pas Ukrainës, agresioni rus pritet të vazhdojë dhe ndalesa e radhës do të jenë vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Osmani.
Në takim u diskutuan mënyrat dhe mekanizmat për forcimin e mëtejshëm të mbështetjes për Ukrainën, mënyrat për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të NATO-s me partnerët nga Indo-Paqësori si dhe për forcimin e mëtejshëm të parandalimit dhe mbrojtjes së Aleancës. Në këtë drejtim, Osmani theksoi se Maqedonia e Veriut ka arritur kufirin minimal prej 2% të PBB-së për investime në mbrojtje.