Fetai në takim me Markering, udhëheqës i Sekretariatit rajonal për anti-korrupsion dhe financa të paligjshme të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC)

Sot, zhvillova takim njohës me z. Koen Marquering, udhëheqës i Sekretariatit rajonal për anti-korrupsion dhe financa të paligjshme të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC), shoqëruar nga Valentina Ancevska, Zyrtare Ndërlidhëse e UNODC-së në Maqedoninë e Veriut.

Diskutuam prioritetet e ndërsjella dhe bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe UNODC-së, me fokus të veçantë në pastrimin e parave, flukset e paligjshme financiare dhe rikuperimin e aseteve, si dhe përpjekjet më të gjera në luftën kundër korrupsionit.

UNODC si gardian i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, është partner i rëndësishëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Në vijim, u ra dakord që bashkëpunimi të fokusohet në prioritete që lidhen me forcimin e kapaciteteve institucionale për rikuperimin e aseteve dhe nisma konkrete kundër korrupsionit.