Të nderuar,
Për herë të parë kam rastin t'ju drejtohem si ministër i Financave edhe atë për dokumentin më të rëndësishëm të cilin e përgatit kjo ministri, Buxhetin, me fjalë të tjera në këtë situatë, Ribalancin e Buxhetit.
Fillimisht dua t'ju informoj se situata e keqe në buxhet i ka kaluar pritshmëritë tona. Në këtë periudhë të shkurtër derisa po përgatitej ribalanci, kam hapur shumë pyetje, por gjithashtu kam pranuar shumë befasi jo të këndshme në bazë ditore.
Premtova se do të jem gjithmonë e sinqertë para qytetarëve.
Para se të theksoj gjërat më të rëndësishme nga ribalancimi, dua të them se hasëm në situatë e cila nënkupton gjendje kaotike dhe borxhesh. Një buxhet që përmban listë dëshirash, në vend të krijimit të zhvillimeve. Pagesa tejet dimensionale. Ekonomia është në vdekje klinike.
Dhe këtu, para se të filloj të flas për të dhënat e tjera, dua të shpreh mirënjohjen time të madhe për kolegët e mi nga Ministria e Financave, veçanërisht nga zyra ime dhe nga Sektori për Buxhet dhe Fonde, sepse gjatë këtyre ditëve kanë punuar shumë ditë e natë që të mund të kemi të gjitha të dhënat në mënyrën më të saktë, që të mos shkaktojmë dëme dhe në të njëjtën kohë t'i kushtojmë vëmendje qytetarëve dhe biznesit.
Fillimisht do të nisem nga projeksionet makroekonomike, përkatësisht rritja e BPV-së me 2.1 për qind, pra rishikimi i tij nga 3.4 për qind të planifikuara fillimisht. Realizimet në tremujorin e parë të vitit 2024 si dhe tregues të caktuar statistikorë për tremujorin e dytë tregojnë qartë se BPV-ja e parashikuar fillimisht është e paarritshme. Inflacioni është parashikuar në nivel prej 3.5%, ndërsa rritja e pagës neto parashikohet në nivel prej 13%.
Në tremujorin e parë të vitit 2024, aktiviteti ekonomik ka shënuar rritje reale prej 1.2 për qind, me çka vazhdoi dinamikën e tremujorëve të mëparshëm, që rezultoi me një rritje mesatare të ulët prej 1 për qind në vitin 2023.
Sektori industrial ka shënuar rrënie prej 1.2 për qind në tremujorin e parë të vitit 2024. Aktiviteti i ndërtimit ka shënuar rënie prej 2.5 për qind. Sektori i bujqësisë shënoi rënie dyshifrore prej 19.7 për qind pas rënies prej 15.3 për qind në tremujorin e kaluar, me çka vijojnë ecuritë negative në këtë sektor. Gjithashtu, eksporti neto shënoi kontribut negativ në rritjen ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2024. Sipas të dhënave mujore të tregtisë së jashtme në muajin maj, eksporti i mallrave shënoi rënie prej 21.6 për qind. Pas realizimit të dobët në vitin 2023 në raport me të dhënat e pritshme për lëvizjet ekonomike në gjysmën e parë të vitit 2024, si dhe me mjedisin më pak të favorshëm ndërkombëtar, ka pasur revizion në rënie të pritshmërisë për rritjen e ekonomisë vendase këtë vit, e cila është projektuar në nivel prej 2.1 për qind, kundrejt siç e përmenda 3.4 për qind sa ishte e planifikuar.
Megjithatë rritja pritet të nxitet nga kërkesa në vend, ndërkohë që eksporti neto pritet të kenë një kontribut negativ mbi rritjen. Inflacioni parashikohet në nivel prej 3.5 për qind, ndërsa rritja e pagës neto prej 13 për qind. Gjatë gjysmës së dytë të vitit, pritet një ngadalësim i mëtejshëm i rritjes së inflacionit, pra stabilizim i çmimeve të ushqimit dhe energjisë, si dhe presion më të moderuar nga inflacioni bazë.
Gjatë përgatitjes së ribalancit janë bërë disa supozime, se sa mjete mund të rishpërndahen në buxhetin ekzistues nga zërat që tregojnë realizim të dobët, planifikimi i mjeteve të cilat edhe pse ka pasur obligim ligjor nuk janë paraparë, si dhe detyrimet e arritura ndaj qytetarëve dhe biznesit.
Në bazë të rishpërndarjes që kemi bërë siguruam rreth 20 miliardë denarë, po ashtu janë planifikuar edhe 11 miliardë denarë për mbulimin e obligimeve të arritura të cilat kanë qenë të ligjshme por nuk janë planifikuar. Kjo rezulton në rritjen e deficitit buxhetor për 11.156 milionë denarë.
Të hyrat e përgjithshme në buxhet janë planifikuar në vlerë prej 318 miliardë e 150 milionë denarë dhe kanë rritje prej 8 miliardë e 22 milionë denarë. Kjo rritje është rezultat i realizimit më të lartë të kontributeve, të cilat bazohen në rritjen e pagave në disa institucione publike, si dhe në pritjet për rritje të pagave në sektorin privat. Poashtu është planifikuar edhe rritje e të hyrave tatimore nga llogaritë e tyre.
Shpenzimet janë planifikuar në vlerë prej 362 miliardë e 816 milionë denarë, gjegjësisht në anën e shpenzimeve kemi rritje prej 19 miliardë e 178 milionë denarë.
Në të njëjtën kohë, me ribalancimin sigurohen:
4,1 miliardë denarë për paga, nga të cilat 1,1 miliardë denarë për bllok subvencione që nuk ishin planifikuar në buxhetin bazë. Në një pjesë të institucioneve pagat ishin planifikuar vetëm për muajin qershor. Janë shënuar probleme serioze në këtë pjesë, të cilat janë rezultat i qasjes individuale të qeverisë së mëparshme ndaj pagave. Prandaj, e gjithë kjo do të kërkojë analizë të plotë dhe marrjen e vendimeve serioze.
5 miliardë denarë për pensione. Këtu duhet të përmend se fondet e planifikuara për vitin 2024 do të mjaftonin nëse pensioni i dhjetorit nuk do të paguhej realisht në janar. Në këtë mënyrë, në mënyrë joreale tregohet një deficit më i vogël buxhetor për vitin 2023 në vlerë prej gati 7 miliardë denarë, dhe kjo është një nga arsyet që deficiti aktual buxhetor po rritet.
Kemi siguruar mjete edhe për garanci, gjegjësisht me ribalancimin kemi siguruar 5,1 miliardë denarë për shërbimin e obligimeve kreditore ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare në emër të ndërmarrjeve shtetërore dhe publike. Pikërisht, NPRRSH, NQP, Hekurudhat, EMV nuk janë në gjendje t'i kthejnë kreditë për të cilat janë dhënë garanci shtetërore dhe në përputhje të ligjit Ministria e Financave ka për detyrë t'i kthejë mjetet në emër të tyre. Pasojat nga puna tejet shpërdoruese në këto ndërmarrje sërish bien mbi barrën e qytetarëve. Megjithatë, për të njëjtë duhet të ketë përgjegjësi.
Kemi siguruar 600 milionë denarë për pagesë sipas vendimeve të gjykatës. Dëmet që ka pësuar buxheti në lidhje me dokumentet ekzekutive është i madh. Përkatësisht, vetëm për vitin 2023 janë paguar 1 miliard e 671 milionë denarë. Përkatësisht, vetëm për vitin 2023 janë paguar 1 miliard e 671 milionë denarë. Bëhet fjalë për lëndë të ndryshme, në radhë të parë nga shkeljet e ligjit për marrëdhëniet e punës, pra transferimi i punonjësve nga një vend në tjetrin të cilët paditën dhe fituan. Më tej dokumente përmbaruese që paguhen për lëndë të humbura të Gjykatës për të Drejtat e Njeriut. Kam kërkuar një analizë shtesë në ditët e kaluara, e cila ka treguar se po humbasim lëndët për shkak të gabimeve të gjyqtarëve që nuk kanë dhënë një vendim gjyqësor brenda afatit e kështu me radhë. Vetëm për vitin 2024 mbi këtë bazë janë paguar 3 milionë euro.
Rritja e normës së interesit për 822 milionë denarë për shkak të rritjes së një pjese të interesave lidhur me Euribor. Në të njëjtën kohë, duhet të përmend se në 4 vitet e ardhshme, gjegjësisht 2024-2028, borxhi total apo shlyerja që duhet të bëjmë vetëm në bazë të kamatës është 1 miliard e 800 milionë euro.
Siguruam 1 miliard denarë për pagesën e ndihmës juridike financiare në zonat, të cilën qeveria e kaluar e ka ditur, por nuk e ka paraparë në buxhet.
322 milionë denarë për Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve të cilat sipas Kodit Zgjedhor nuk ishin planifikuar për pagesë për mediat dhe për të cilat ekziston obligim ligjor.
644 milionë denarë për vakt studentor dhe bursa studentore, gjithashtu edhe obligim ligjor që nuk ishte i paraparë.
6 miliardë denarë për investime kapitale nëpër komuna.
Pagesa prej 132 milionë denarë në fondet e BE-së për shkak të keqpërdorimit të konstatuar të mjeteve nga OLAF në agjencinë nacionale për mobilitet Erasmus.
143 milionë denarë për qira në DKP.
150 milionë denarë për MRTV-në, detyrim ligjor që nuk ishte i paraparë.
Kostoja e tranzicionit, shtylla e dytë 400 milionë denarë.
Sigurimi shëndetësor për pensionistët 879 milionë denarë.
1 miliard e 700 milionë denarë për FSSHM për pagesën e detyrimeve të vonuara dhe pushim mjekësor.
Të nderuar,
Pikërisht me këtë ribalancim, qeveria e re do të përmirësojë gjendjen e një numri të madh të qytetarëve dhe komunitetit të biznesit, përfshirë bujqit, të rinjtë, të moshuarit, sportistët e të tjerë.
Mbi të gjitha këto, për mua është e pakuptueshme që disa nga institucionet kanë në llogaritë e tyre gati 14 miliardë denarë, pra më shumë se 200 milionë euro. Çdo institucion duhet të kuptojë se kryen një veprimtari publike, shpenzon para publike dhe për këtë duhet të veprojë në mënyrë të kujdesshme. Kjo do të thotë se këto mjete duhet të përdoren në mënyrë që të ulet ngarkesa në buxhet. Pikërisht për këto fonde merren kredi për të cilat interesi vjetor është gati 13 milionë euro.
Unë besoj se çdo institucion duhet të kontrollojë ligjet e tij sipas të cilave ka llogaritë e veta dhe t'i përdorë ato për shpenzimet rrjedhëse apo shpenzimet kapitale në mënyrë me qëllim që të ulet ngarkesa në buxhet. Në këtë moment ato para ndodhen në llogaritë pa asnjë efekt pozitiv, përkundrazi krijojnë vetëm kosto. Duhet të kuptojmë se të gjithë duhet të punojmë në interes të qytetarëve sepse bëhet fjalë për para të popullit.
Përskaj gjithë këtyre sfidave në ribalancim, jam e bindur se Buxheti për vitin 2025 do të sjellë shpresë të re për planifikim shumë më të mirë dhe më të kujdesshëm dhe në realizimin përfundimtar të projekteve që do të kenë vlerë të shtuar për të gjithë ekonominë përmes të cilave qytetarët dhe komuniteti i biznesit do të ndjejnë efekte pozitive dhe standard më të mirë për jetesë.
Ndryshimi dhe plotësimi në Buxhetin e vitit 2024 synon rishikimin e projeksioneve fillestare fiskale në përputhje me tendencat makroekonomike në gjysmën e parë të vitit, ristrukturimin e shpenzimeve buxhetore për shërbimin e detyrimeve më prioritare si dhe optimizimin e burimeve të financimit të deficitit buxhetor.
Për këtë qëllim në seancën e djeshme të Qeverisë propozova disa konkluzione të cilat u miratuan dhe me të cilat obligohen përdoruesit dhe njësitë buxhetore që gjatë lidhjes së Marrëveshjeve kolektive të kenë parasysh mjetet e miratuara buxhetore dhe të mos ndërmarrin obligime për të cilat nuk kanë siguruar mjete nga buxheti për vitin aktual dhe shumat maksimale të përcaktuara të shpenzimeve në afat të mesëm.
Obligohen ndërmarrjet publike dhe shoqëritë Aksionare shtetërore që gjatë lidhjes së Marrëveshjeve Kolektive, paraprakisht të kërkojnë mendim nga Ministria e Financave. Gjatë zbatimit të buxhetit, shfrytëzuesit buxhetorë të mos ndërmarrin detyrime përtej mjeteve të parashikuara nga buxheti për vitin fiskal përkatës.
Ata shfrytëzues buxhetor të cilët kryejnë vetëm aktivitete financimi dhe kanë mjete të papërdorura në formë të gjendjeve në llogari, funksionimi aktual i institucionit në vend të mjeteve nga buxheti duhet të financohet duke përdorur mjete nga llogaritë e tyre. Përveç kësaj, obligohen shfrytëzuesit buxhetorë që në vazhdimësi të realizojnë aktivitetet për mbledhjen e të hyrave të tyre. Sipas SEPEO, të gjitha subjektet duhet të respektojnë detyrimet për raportimin në kohë të detyrimeve të arritura dhe të papaguara sipas afateve ligjore, pasi që këtu kemi konstatuar shumë lëshime në periudhën e kaluar.
Komunave, ndërmarrjeve publike dhe shoqërive tregtare shtetërore u rekomandohet që të konsolidojnë financat e tyre, pra të ndërmarrin veprime për mbledhjen e të ardhurave të tyre si dhe uljen e shpenzimeve joproduktive.
Gjithashtu, punëdhënësit nga sektori publik duhet të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zbatuar analizë funksionale dhe për të njejtën t’a informojnë Qeverinë.
Të gjithë shfrytëzuesit e buxhetit të ndërmarrin veprime urgjente në kuadër të institucioneve të tyre, përdoruesit individual në drejtim të kryerjes së auditimeve të jashtëzakonshme për të përcaktuar shpenzimin e synuar të mjeteve financiare të Buxhetit, më së voni në afat prej 30 ditëve deri te Qeveria të parashtrojnë informacion.
Dhe së fundi, obligohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë dhe Ministria e Mbrojtjes të dorëzojnë shpërndarjen e bllok shtesave të dedikuara sipas komunave.