“Unë nuk heq dorë nga shpërbërja e Këshillit Gjyqësor si reformë dhe nga shpërbërja e Këshillit të Prokurorëve Publikë, jam në pritje të propozimeve, po kërkoj dëshpërimisht propozime që besimi i qytetarëve në gjyqësorin të mos jetë 2 për qind, të mos jenë kriminelët qytetarë të ndershëm dhe qytetarët e ndershëm kriminelë, sepse kemi përjashtime të prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, nuk është ajo pasqyra e përgjithshme, të kuptohemi, kemi përjashtime të tilla”, thotë kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske dhe shtoi:
“Unë nuk kam kushërinj, as vëllezër, as motra, publikisht po i them opinionit maqedonas, këtij populli I ka ardhë në majë të hundës të ndihen si qytetarë të dorës së dytë në vendin e tyre, sepse disa kriminelë mendojnë se janë mbi ligjin ndërsa këtë ua mundësojnë këto institucione, sepse janë aty falë atyre pak kriminelëve politikë dhe kriminelëve të vërtetë”.
Kryeministri Mickoski theksoi se është zgjedhur nga qytetarët dhe se është i obliguar që atë që e ka ofruar si zgjidhje ta dorëzojë dhe theksoi se është i gatshëm të bisedojë me këdo që ka ndonjë ide.
“Unë kaq di si kryetar i VMRO-DPMNE-së, kam dalë në zgjedhje, kam ofruar zgjidhje, kanë votuar 450 mijë qytetarë dhe kjo më obligon. Nëse dikush di më mire le të vijë dhe le të tregojë, jam i gatshëm të bisedojmë. Kushdo që njeh një ekspert më të mirë le të vijë dhe të thotë, vetëm dëshpërimisht lus që këto 2 përqind të bëhen të paktën 12, unë e di që nuk mund të bëhen 22, 52, 82, por të paktën të bëhen 12. Pse është kjo e rëndësishme për ne? Nëse nuk ka besim në gjyqësorin, nuk ka as investime si ky, nëse nuk ka investime të tilla, nuk ka biznes, nuk ka para në buxhet, nëse nuk ka para në buxhet, nuk ka për shëndetësi, për arsim, për rroga, për fermerë, për pensione, nuk ka as për infrastrukturë.
Ky është sistem. Sistemi fillon me ata pak veta, të gjithë e dimë se kush janë, të gjithë e dimë në këtë shtet se kush janë ata në gjyqësorin që janë të korruptuar, dhe tani nëse bëjmë duke i pasur sytë sikur jemi të verbër, të shurdhër, në rregull, por nuk është e drejtë për hir të fëmijëve dhe për hir të brezave që vijojnë. Unë kaq di dhe do të luftoj për atë që di, jam i gatshëm të flas me këdo, kushdo që ka ndonjë ide le të vijë, jam gati t'i dëgjoj, vetëm të mos vijnë ekspertë të përjetshëm, mbiemrat e të cilëve rastësisht paraqiten si anëtarë të rinj në këshillin gjyqësor. Ekspertëve të tillë të përjetshëm ua njoh metodat e tyre, ata na kanë çuar në këta 2 për qind”, tha me vendosmëri kryeministri Mickoski.