Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, së bashku me zëvendëskryeministrin e RMV-së, Arben Fetai, përgjegjës për Qeverisjen e mirë, dhe zëvendësministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Flakron Bexheti, si dhe zëvendës i Sekretarit Gjeneral të Qeverisë, Hasim Murtezani, vizituan fshatin Gllumovë të Komunës së Sarajit, ku inspektuan fabrikën për përpunimin dhe prodhimin e produkteve të mishit “Tiamo”. Gjatë vizitës, Ministri Durmishi u informua nga menaxhmenti i kompanisë për punën aktuale, planet për investime të ardhshme, rritjen e prodhimit dhe zgjerimin e tregjeve në rajon. Fabrika “Tiamo”, e themeluar në vitin 1997, është një nga markat më të njohura lokale dhe kombëtare, duke u dalluar për cilësi dhe traditë të gjatë. Fabrika përdor teknologji të avancuar që përshpejton dhe lehtëson procesin e punës, duke rritur cilësinë e produkteve.
Ministri Durmishi njoftoi menaxhmentin se, për të mbështetur ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, Ministria e Ekonomisë dhe Punës ka shpallur pesë thirrje publike në përputhje me Programin për zhvillimin e sipërmarrësisë dhe konkurrencës për vitin 2024. Për këto masa janë ndarë gjithsej 80 milionë denarë nga Buxheti i Ministrisë. Një nga thirrjet publike përfshin kompensimin e një pjese të kostove për certifikimin e sistemit HALLALL. Për këtë masë janë parashikuar 2 milionë denarë, me bashkëfinancim prej 40% të kostove të dëshmuara, por jo më shumë se 200 mijë denarë për secilin aplikant. Të gjitha ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme nga industria përpunuese që plotësojnë kriteret e përcaktuara mund të aplikojnë për këtë thirrje.
Gjithashtu, Ministri Durmishi theksoi se për mbështetjen e biznesit janë parashikuar 250 milionë euro, linja kreditore të siguruara nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me Republikën e Hungarisë. Ministria e Financave po përgatit ligjet për këtë linjë kreditore dhe do të përcaktojë kushtet për aplikim. Mbështetja financiare do të realizohet përmes bankave komerciale ose Bankës Zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, me qëllim krijimin e kushteve fleksibile për kreditë e kompanive.