“Fillimisht dëshiroj të shpreh faleminderimin për këtë takim të hapur, të sinqertë dhe serioz që zhvilluam ne, si dy kryeministra të dy republikave tona, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, po edhe me delegacionet tona, meqenëse kishim një mori temash dhe çështjesh të cilat i diskutuam e që padyshim se janë për të mirën e dyanshme e përbashkët.
Unë isha së bashku me zëvendëskryeministren e diasporës Shvarc dhe ministrin e mjedisit planifikimit hapësinor dhe infrastrukturës Aliu, përveç se me këshilltarë dhe me ambasadorin Florijan Qehaja.
Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut kanë marrëdhënie të mira bilaterale të bazuara në vlera të përbashkëta dhe me synim të qartë për integrim evropian. Ne besojmë në përpjekjet e Maqedonisë së Veriut dhe përkrahjes së tyre për integrimin evropian dhe urojmë që sa më pare të fillojmë negociatat për anëtarësim në BE.
Maqedonia e Veriut si fqinji ynë që është vend anëtar i NATO-s, ne jemi mirënjohës për kontributin e kontingjentit paqeruajtës të Maqedonisë së Veriut në kuadër të KFOR-it në këtë drejtim, duke përkrahur përpjekjet për një mjedis të sigurt, paqësor dhe stabil dhe zonë për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Të dyja vendet kanë pasur bashkëpunim bilateral në të gjitha fushat në aspektin diplomatik I përshëndesim përkrahjet e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut në përpjekjet tona për integrim në organizata ndërkombëtare, e sidomos në Këshillin e Evropës dhe në NATO.
Ne synojmë fuqizimin e bashkëpunimit në kuadër të procesit të Berlinit, platformë kjo e vetmja gjithpërfshirëse rajonale me përfitues përfundimtar qytetarët e rajonit.
Në aspektin ekonomik siç e tha edhe kryeministri Mickoski e kemi ngritur shkëmbimin tregtar në një vlerë prej rreth gjysmë miliardi euro dhe në këtë bashkëpunim ka edhe investime reciproke në të dyja vendet, ndërkohë që ky gjysmë miliardi euro është në ngitje e sipër për shkak se kemi trend pozitiv.
Maqedonia e Veriut tash e disa vite është vendi ku eksportojmë një numër të madh të prodhimeve dhe mallrave të Kosovës, e cila poashtu paraqet një trend në ngritje e sipër dhe një pjesë e konsiderueshme e eksporteve është e orientuar drejt Maqedonisë së Veriut.
Në aspektin e sigurisë edhe të mbrojtjes, ne vijojmë që te kemi bashkëpunim të mire, mezi presim që të operacionalizohen pikat e përbashkëta kufitare sidomos në Hanin e Elezit dhe në Bllacë, të cilat do të lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve tanë.
Ne të gjithë e dijmë se kemi shumë familje dhe farefis në të dyja anët e kufirit, madje edhe zëvendësja ime e punëve të jashtme, Donika Shvarc vjen nga Shkupi si vendlindje edhe nëna e saj është nga Shkupi. Dhe jemi të interesuar siç e tha edhe kryeministri Mickoski që të kemi qarkullim sa më shumë të lirë të qytetarëve dhe për këtë padyshim që kjo rruga e cila e lidh kufijt tona dhe shtetet tona pasi të lëshohet në përdorim do të ndihmojë jashtzakonisht shumë në këtë drejtim.
Ne mbështesim fuqizimin e bashkëpunimit, veçanërisht në zbatimin e marrëveshjes ekzistuese për bashkëpunimin ushtarak.
Republika e Kosovës pret të ndërtojë edhe më shumë ndërlidhje transporti hekurudhore me Maqedoninë e Veriut në funksion të lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave.
Ritheksojmë faktin dhe vlerën se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet anëtar i NATO-s, i kësaj Aleance të vendeve demokratike, ushtarakisht më e fuqishmja jo vetëm në botë, por edhe në historinë e njerëzimit.
Ne duam të kemi marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane edhe si shtete edhe si popuj.
Ne do të punojmë së bashku me Qeverinë e re në funksion të fuqizimit edhe më tej të bashkëpunimit bilateral bazuar në mirëbesim dhe interesin reciprok”.