Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i ngarkuar për Politika të Qeverisjes së Mirë, Arben Fetai, sot ka pritur ambasadorin e Austrisë, SH.T. Martin Pamer, i shoqëruar nga zëvendës shefi i misionit, z. Matijas Humenberger.
Në takim, z. Fetai falënderoi ambasadorin Pamer për mbështetjen e pazëvendësueshme të Austrisë për vendin tonë, veçanërisht në kontekstin e procesit të integrimit në BE, reformës së administratës publike dhe luftës kundër korrupsionit.
Ndër të tjera, në takim u diskutua për prioritetet e Qeverisë në lidhje me sundimin e së drejtës dhe rritjen e transparencës institucionale, si elemente thelbësore për një luftë efektive kundër krimit dhe korrupsionit.
Ambasadori Pamer premtoi mbështetje dypalëshe përmes Agjencisë Austriake për Zhvillim për projekte të caktuara në zbatimin e prioriteteve qeveritare që synojnë përmirësimin e menaxhimit dhe llogaridhënies.