Mickoski: Qeveria paguan borxhet për autobusët e Arsovskës, ra në ujë akuza se ne po e frenojmë qytetin

“Po, kjo ndodhi, Qyteti i Shkupit nuk arriti ta kthejë me kohë këstin që ka qenë pjesë e obligimeve për blerjen e autobusëve në të kaluarën, është në vlerë prej diku mbi 50 milionë denarë borxh kryesor. Borxhi kryesor është diku rreth 42, 43 milionë denarë, pjesa tjetër është kamata”, thotë Hristijan Mickoski, kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske.

Kryeministri Mickoski theksoi se ministrja e Financave e ka informuar se nuk ka përgjigje nga organet kompetente në qytetin e Shkupit për atë nëse ajo mund ta kryejë obligimin, prandaj është dashur ta marrë përsipër obligimin dhe ta paguajë borxhin.

“Më ka njoftuar ministrja e financave pas disa urgjencave të bëra dhe pa përgjigje nga ana e qytetit, normalisht pas urgjencës së kreditorit, gjegjësisht Bankës duheshte të bëjë një hap dhe t'ia paguajë borxhin qytetit të Shkupit sepse ata nuk kanë arritur ta bëjnë këtë. Shtrohet pyetja nëse ne si shtet dhe si qeveri duhet të ndërmarrim disa hapa shtesë për një lloj tjetër autorizimesh dhe obligimesh që i ka Qyteti i Shkupit dhe që shohim se nuk janë kryer në kohën e duhur, sidomos këtu e kam fjalën për pjesën e higjienës”, tha ai dhe theksoi se çdo ditë marrin ankesa për higjienën në kryeqytet.

“Në bazë ditore qytetarët na reagojnë, unë këtë çështje do ta hap në seancën e radhës dhe mendoj se dhe u bëj thirrje organeve të higjienës komunale në qytetin e Shkupit që të bëjnë punën për atë që paguhen, për të cilën i paguajnë qytetarët, sepse kjo që sot po ndodh në Shkup duket si çdo gjë, por jo si kryeqytet i një vendi që është pjesë e Aleancës së NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE. Duhet t'ia parashtrojmë vetes pyetjen e cila është në thelb e rëndësishme, jo çfarë flasim, por çfarë bëjmë në emër të atyre vlerave”, deklaroi Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se nëse nuk ka progres apo ndryshim i gjendjes së keqe në Shkup, këtë çështje do ta hapë në seancën e ardhshme të qeverisë.

“Kështu që ja ky obligim të cilin duheshte ta kryejë Qyteti i Shkupit për diçka më shumë se 50 milionë denarë ndaj kreditorit, nuk po e kryen, dhe këtë e ka bërë Ministria e Financave. Shpresoj që me punë të kujdesshme në periudhën që vijon, nëse mund ta bëjnë fare zyrtarët, do të mund t'i kryejnë obligimet në periudhën që vijon. Dhe bëj thirrje dhe apeloj që të punohet për interesat e qytetarëve në kryeqytet, në të gjitha komunat, sepse qytetarët atë e meritojnë”, tha Mickoski dhe shtoi:

“Nëse shohim që këtë javë nuk ka asnjë progres në lidhje me këtë çështje, në seancën e ardhshme të qeverisë planifikoj të flas hapur dhe të shkoj një hap më tej në atë që është detyrimi i qeverisë së popullit, e kjo ka të bëjë me veprim në emër të thirrjeve që i marrim çdo ditë nga shkupjanët”.