Mickoski: Më shumë se 18 milionë euro do të investohen në rindërtimin e konvikteve studentore

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në pyetjen gazetareske lidhur me rindërtimin e konviktit shtetëror studentor “Stiv Naumov”, deklaroi:

“Më shumë se 18 milionë euro do të investohen në rindërtimin e konvikteve studentore, jo vetëm në Shkup, por edhe në qytete të tjera, ku kemi kampuse dhe qendra universitare. Për dy konviktet studentore në Shkup, “Kuzman Josifovski-Pitu” dhe “Stiv Naumov” do të investohen 18 milionë euro.

Kryeministri informoi se rikonstruksioni i konvikteve të tjera studentore në vend do të vijojë si një nga prioritetet kryesore të Qeverisë. Është në proces rikonstruksioni i konvikteve shtetërore studentore “Kuzman Josifovski-Pitu” dhe “Stiv Naumov”, i cili pritet të përfundojë në periudhën e ardhshme.

“Ato dy konvikte do të rikonstruktohen dhe atje ka filluar rikonstruksioni. Në periudhën që vijon presim që i njëjti të përfundojë. Mendoj se instalimet elektrike aktualisht janë duke u kryer, por e njëjta do të projektohet edhe në qendrat e tjera universitare në vend. Pra, ky është një nga ato premtime që kemi bërë për studentët dhe rininë”, tha kryeministri Mickoski.