Mickoski decid: Nëse ka dëshirë nga BE-ja të jemi pjesë e familjes evropiane, atëherë ka mënyrë, nuk pranoj më ultimatume

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në pyetjen gazetareske lidhur me vizitën e punës në Bruksel, takimet me liderët e Bashkimit Evropian dhe se si kanë kaluar takimet, deklaroi:

“Dje kisha agjendë vërtet dinamike, një agjendë të bukur, ku kishim mundësi të prezantojmë qëndrimet që kemi si Qeveri maqedonase. Në delegacion përveç meje ishin edhe dy ministrat, ministri i Çështjeve Evropiane dhe ministri i Punëve dhe Tregtisë së Jashtme, Mucunski dhe Murtezani.

Mendoj se patëm një vizitë të dobishme në Bruksel, shumë nga gjërat që bashkëbiseduesit tanë dëgjuan për herë të parë. Më vjen keq që gjatë shtatë viteve të fundit, përveç përkuljeve, gjunjëzimeve, nuk kanë mundur të dëgjojnë e të shohin asgjë tjetër nga Qeveria e kaluar e udhëhequr nga LSDM dhe BDI, por ne shkuam atje të përgatitur me argumente dhe fakte të forta.

Patëm një drekë të mirë, të dobishme dhe përmbajtësore, në të cilën nikoqire ishte kryetarja e Komisionit Evropian, Ursulla Fon Der Llajen, së bashku me liderët e tjerë të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Pastaj patëm një takim me Kryetarin e Këshillit Evropian, z. Sharll Mishell, pastaj patëm një takim me Eurokomesarin ende aktual për Zgjerimin dhe Politikat Fqinjësore, si dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë për Negociatat dhe Fqinjësi z. Gert Jan Kompan.

Mund të them se me bashkëbiseduesit u pajtuam se e ardhmja e Maqedonisë si shtet është në kuadër të familjes evropiane. U pajtuam që edhe si shtet edhe si qytetarë kemi bërë shumë ose për të qenë më i saktë si asnjë komb dhe si asnjë shtet që e ka bërë këtë në procesin e integrimit brenda Bashkimit Evropian. Për më shumë se dy dekada e gjysmë ne ishim në disa grupe dhe gjithmonë na kërkohej diçka që ishte rezultat i mosmarrëveshjeve bilaterale, jo kritereve të Kopenhagës dhe diçka e bazuar në përmbushjen e qëllimeve dhe politikave, por më tepër ishin lëshimet kombëtare. Një nga bashkëbiseduesit gjatë drekës tha, ai ishte një nga liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, se duhet bërë sakrifica. Unë do të thoja se ajo që bënë qytetarët maqedonas dhe Maqedonia nuk është sakrificë, ne bëmë shumë sakrifica, por është poshtërim, ajo që na ndodhi në dy dekada e gjysmë. Fatkeqësisht, dikush me sakrificë nënkupton nëse ndryshon një ose dy ligje. 

 

Për ne, një sakrificë përfaqëson ndryshimi i simboleve kombëtare, shenjave të identitetit, diçka që fatkeqësisht elitat politike të korruptuara në të kaluarën, në pamundësi për t'u marrë me faktet dhe argumentet, e bënë duke grabitur popullin e tyre dhe nuk kishin turp ta poshtëronin. Hynë në politikë varfënjak, dolën milionerë dhe kjo është diçka që kjo gjeneratë në këtë qeveri maqedonase ka për detyrë ta korrigjojë” dhe shtoi:

“Ju rikujtoj se në fillim të këtij mileniumi ishim në grup me Rumaninë dhe Bullgarinë, për të dalë nga ai grup, pastaj ishim në grup me Kroacinë, për të dalë nga ai grup dhe pastaj me serbët dhe Malin e Zi, që edhe ai grup të na tejkalojë, pastaj me Shqipërinë, dhe tani do të na tejkalojë edhe Shqipëria”.

Kryeministri theksoi se derisa është në krye të Qeverisë maqedonase, nuk do të pranojë ultimatume që vendi ynë të bëhet pjesë e familjes evropiane.

“Mesazhi im për njerëzit në Bruksel është i qartë. Nëse vërtet dëshironi të jemi pjesë e familjes evropiane, atëherë ka dhe mënyrë. Nëse ka vullnet, ka dhe mënyrë. Nuk kemi ndërmend të pranojmë më shumë ultimatume, të paktën unë gjatë udhëheqjes së qeverisë maqedonase. Unë nuk do të pranoj ultimatume, as nuk ka ndonjë çmim që mund të më bindë të pranoj një ultimatum.

Dëshiroj që këta qytetarë dhe atdheu im të jenë pjesë e asaj familjeje në bazë të sistemit të meritës, jo në bazë të turpeve shtesë kombëtare dhe lëshimeve identitare. Ne nuk do ta lejojmë këtë!

Nëse vërtet duan që ne të avancohemi, në bazë të sistemit të meritave, atëherë ne do të fillojmë negociatat menjëherë, nesër. Por me sa duket ata lejojnë një shtet anëtar të bilateralizojë gjithë këtë proces, diçka që nuk është qëndrimi i 26 vendeve të tjera anëtare. Nuk kemi çfarë të bëjmë, duhet të luftojmë për qëndrimin tonë, duhet të luftojmë për pozicionin tonë.

Dhe unë u thashë bashkëbiseduesve se ne nuk mund të mbrojmë më standarde të dyfishta para qytetarëve tanë. Nëse parimi pacta sunt servanda vlen për Prespën, atëherë parimi pacta sunt servanda duhet të zbatohet edhe për Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë.

Le të më thotë dikush në Bruksel se ku thuhet në atë pacta që duhet të ndryshojmë Kushtetutën. Të mos më përmendin propozime, propozimi francez është tjetër, është propozim, nuk është pacta, nuk është marrëveshje. Si mund të zbatohet për ne dhe për këtë qeveri dhe për të gjitha qeveritë, mendoj në të ardhmen derisa gjërat të kthehen në normalitet një ditë dhe ne nuk duhet të ndalojmë së ëndërruari. Pacta sunt servanda që është Marrëveshja e Prespës do të duhet të zbatohet më pas për Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë. Dhe kjo do të thotë se fqinji ynë lindor do të na mbështesë dhe nuk do të na pengojë në procesin e integrimit evropian.

Kjo është pacta, është një marrëveshje, propozimi francez nuk është marrëveshje. Të gjithë duhet ta dijmë dhe opinioni maqedonas dhe i Brukselit dhe e gjithë Evropa. Nuk duhet të bëjmë më politikë me standarde të dyfishta. Ne duhet të bëjmë politikë mbi bazën e parimeve dhe vlerave që lidhen me kriteret e Kopenhagës dhe që bazohen në meritokraci, dhe jo në mosmarrëveshje dhe pengesa dypalëshe dhe çështje nacionalizmi dhe identiteti. Ky është mesazhi im dhe ai ishte mesazhi im në Bruksel”, theksoi kryeministri Mickoski.