Dimitrieska Koçoska: Të sigurojmë hyrjen e numrit më të madh të pjesëmarrësve në Bursë, do të punojmë në zhvillimin e tregut sekondar

Në periudhën e ardhshme, Ministria e Financave dhe Bursa Maqedonase do të punojnë në mënyrë aktive në zhvillimin e tregut sekondar për tregtimin e letrave me vlerë me qëllim të rritjes së numrit të pjesëmarrësve dhe gjetjes së interesit të tyre për të. Këtë e bëri të ditur ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska në Konferencën e 23-të vjetore të Bursës Maqedonase, e cila po mbahet sot në Ohër.

“Bursa është vend ku takohen investitorët, vend ku lëviz kapitali dhe prandaj është shumë e rëndësishme që të krijohen kushte për hyrjen e sa më shumë pjesëmarrësve. Për të gjetur interesin e personave juridikë dhe fizikë, të cilët mund të investojnë në burime alternative financimi që ofrohen në Bursë, krahas asaj që tradicionalisht ofrohet nga sektori bankar. Në atë drejtim, në periudhën e ardhshme, së bashku me Bursën Maqedonase, do të veprojmë në mënyrë më aktive, ndër të tjera, në zhvillimin e tregtimit sekondar të letrave me vlerë, i cili ka përfitime të shumëfishta. Domethënë, do të ketë përfitim për emetuesin primar sepse do të rritet interesi për instrumentet që janë likuide. Për Bursën Maqedonase përfitimi do të jetë rritja e vëllimit të tregtimit, ndërsa për poseduesin e letrave me vlerë avantazhi është se ai do të zotërojë me instrument likuid të cilin do të mund ta shesë në çdo kohë, gjegjësisht ta materializojë”, theksoi Ministrja e Financave dhe shtoi se Bursa do të përdoret si treg primar për obligacionet që Ministria e Financave planifikon të lëshojë në periudhën e ardhshme.

Sipas ministres, bashkëpunimi me Bursën është jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse çelësi i rritjes së interesit për tregtimin e letrave me vlerë të lëshuara nga Ministria e Financave është që zotëruesit e këtyre letrave të jenë të sigurt se mund t'i materializojnë ato në çdo kohë në tregun sekondar dhe në atë mënyrë të sigurojë mjete likuide në para.

Ajo njoftoi se po punohet për marrjen e Vendimit për emetimin e 23-të të obligacioneve për denacionalizim në vlerë prej 1,5 milionë euro, me të cilin do të rritet oferta e letrave me vlerë që do të tregtohen në tregun sekondar të Bursës Maqedonase. Ndryshe, vlera totale e 22 emetimeve të obligacioneve të emetuara më parë për denacionalizim arrin në 397 milionë euro.

Duke përshëndetur rezultatet pozitive të funksionimit të Bursës Maqedonade në gjysmën e parë të këtij viti, ajo tha se Ministria e Financave do të vazhdojë të përmirësojë rregulloren për të siguruar zhvillim shtesë të tregut të kapitalit.