Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, në fjalimin e tij në Gjykatën Administrative, theksoi se futja e regjistrimit audio dhe video kishte filluar që në vitin 2010 me Ligjin për Procedurën Civile dhe Ligjin për Procedurën Penale.
"Sot, pas një periudhe më shumë se 10 vjet, për fat të keq, mund të konstatojmë se gjykatat vetëm pjesërisht kanë përdorur regjistrimin audio gjatë procedurës dhe nuk kanë arritur të zbatojnë plotësisht dhe me përpikëri zgjidhjet ligjore, as në procedurën civile e as në atë penale, dhe siç është e dukshme nga ngjarja e sotme, as në procedurën administrative. Për fat të keq, janë konstatuar edhe shumë raste të shkatërrimit të pajisjeve për regjistrim audio. Të gjitha këto janë vetëm një pjesë e vogël e shpjegimit për perceptimin dhe besimin e qytetarëve në drejtësi që është vetëm 2%,” tha Filkov.
Ministri theksoi se qytetarët janë ata që preken më shumë nga procedura administrative.
"Pajisjet për regjistrim audio në Gjykatën Administrative po instalohen sot. Të mos humbasim edhe 14 vjet të tjera dhe të mos presim vendime nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut që të na detyrojnë të zbatojmë standardet për një gjykim të drejtë. Ju inkurajoj të synoni dhe të investoni në drejtësinë moderne dhe që të kontribuojmë të gjithë së bashku për këtë. Lufta ime e zëshme për pavarësinë e gjyqësorit do të jetë përmes sigurimit të një përqindjeje për buxhetin e pavarur të gjykatave. Por, gjithashtu, ju motivoj që secili prej jush, në çdo çështje, të arrijë të përdorë regjistrimin audio dhe çdo mjet tjetër për të siguruar standardet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm. Në fund, kjo është vetëm një kontribut i vogël, do të thosha, simbolik, në fillimin e reformave që varen dhe duhet të fillojnë nga ne vetë. Duke pasur parasysh se nuk ka më justifikim për mungesën e teknologjisë për regjistrimin audio, me faktin që të gjitha gjykatat janë të pajisura, jam i bindur se në 15 ditët e ardhshme sistemi do të zbatohet kudo," përfundoi Filkov.