“Qeveria ka treguar se e njeh vetëqeverisjen lokale si një nga shtyllat më të rëndësishme të rregullimit shtetërorë. Premtuam se do të fokusohemi në mbështetjen e pushteteve lokale, duke pasur parasysh se ato janë kontakti i parë mes pushtetit dhe qytetarëve. Në atë drejtim kemi punuar dhe do të punojmë jo vetëm në mënyrë deklarative”, theksoi ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, në të tretën herë radhazi “Platforma 100% përkushtuar për ty”, e cila kishte në fokus bujqësinë, mjedisin jetësor dhe vetëqeverisjen lokale. Duke folur për thirrjen publike për përkrahje të komunave për realizimin e projekteve infrastrukturore me para nga buxheti qendror, ministri Perinski tregoi se procesi ka filluar dhe se për këtë vit janë paraparë 6 miliardë denarë.
“Është fakt që komunat ato projekte nuk mund t’i realizojnë me buxhetet e tyre. Për këtë arsye konsiderojmë se është e nevojshme një ndërhyrje e tillë nga buxheti qendror, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës. Qëllimi është që asnjë vendbanim të mos lihet pa infrastrukturë adekuate rrugë, kanalizim, ujësjellës, të mos lejojmë që fëmijët të mësojnë në kushte nën standarde, theksoi ministri, i cili konsideron se me ndihmën financiare të Qeverisë do të tejkalohen problemet elementare me të cilat ballafaqohen disa komuna, pas së cilës do të mund të vazhdohet me zhvillim të balancuar rajonal, siç i ka hije një shteti serioz.
“Qëllimi i thirrjes është fisnik, nuk ka asnjë gram politikë. Asnjë komunë nuk u përjashtua subjektivisht nga procesi. Përkundrazi, ishte dedikuar për të gjitha vetëqeverisjet vendore. Shpresoj se me këtë do të kontribuojmë dukshëm në ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve”, tha Perinski, i cili theksoi se masa të tilla u nevojiten pushteteve lokale, sepse buxhetet që kanë në dispozicion nuk janë të mjaftueshme për investime më të mëdha, të cilat janë të nevojshme për qytetarët.
Në "Platformën 100% të përkushtuar për ty", Perinski shpjegoi arsyet e ndryshimeve të paralajmëruara në Ligjin për vetëqeverisje lokale, që në thelb është i mirë, por në disa pjesë janë ende të nevojshme ndërhyrje.
“Ligji ka qenë rezistent ndaj të gjitha sfidave në dy dekadat e kaluara dhe ne konsiderojmë se ekziston mundësia që e njëjta zgjidhje ligjore të përmirësohet në disa aspekte. Fatkeqësisht, jemi dëshmitarë të sjelljeve të pakujdesshme të kryetarëve të caktuar të komunave, të cilët tanimë nuk mund të tërhiqen me këtë zgjidhje ligjore.
Fokusi kryesor dhe synimi kryesor për hapjen e këtij ligji ishte pikërisht në atë drejtim”, theksoi ministri, i cili informoi se është formuar një ekip ekspertësh, i cili me mbështetjen e UNDP-së duhet të shohë të gjitha mundësitë e integrimit të një mjeti për shkarkimin e kryetarëve të komunave në kuadër të zgjidhjes ekzistuese ligjore.
“Në thelb, qytetarëve që zgjedhin kryetarët e komunave duhet t'u jepet një mjet dhe një mekanizëm që të mund t'i revokojnë ata, pa e keqpërdorur këtë mjet. Konsiderojmë se në këtë mënyrë do të kontribuojmë ndjeshëm në përmirësimin dhe rritjen e cilësisë së punës së vetë kryetarëve të komunave, sepse ata do të kenë rrezikun e revokimit, nëse nuk punojnë siç duhet dhe në përputhje me kuadrin ligjor. Aspekti i dytë është vendosja e policisë komunale, e cila funksionin në shumë vende të rajonit dhe më gjerë. Qëllimi është parandalimi i sjelljeve devijuese të qytetarëve të paskrupullt”, tha Perinski, i cili bëri të ditur se po mendohet të përfshihet një kornizë për përfshirje më të madhe të sektorit civil në vendimmarrje dhe krijimin e politikave në nivel lokal.
Imperativi i Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale në periudhën në vijim është edhe digjitalizimi i komunave, gjegjësisht planifikohet që deri në vitin 2026 të gjitha vetëqeverisjet lokale të ofrojnë shërbime në mënyrë elektronike.
“Paralelisht deri atëherë është planifikuar që komunat të përditësojnë edhe bazat e të dhënave të tatimpaguesve. Të dhënat tregojnë se komunat tani po humbasin 100 - 120 milionë euro për shkak të inkasimit të ulët. Me tatimin elektronik kryetarët e komunave nuk do të mund të jenë subjektiv në nxjerrjen e vendimeve për tatimin në pronë, i gjithë procesi do të jetë sistematik”, sqaroi Perinski, i cili informoi se Ministria e Vetëqeverisjes Lokale me mbështetjen e UNDP-së është duke punuar në përgatitjen të një Qendre burimore që do të ofrojë ekspertizë nga të gjitha fushat e ofruara nga komunat, para së gjithash dhe do të jetë shumë e dobishme, për komunat më të vogla, të cilat, siç vlerësoi Perinski, kanë mungesë të potencialit njerëzor që mund ta zhvillojnë komunën në mënyrë adekuate.
Duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me njoftimet për largim nga BNJVL nga komuna Strumicë dhe Karposh, ministri vlerësoi se në këtë rast qytetarët do të humbin më së shumti. Ai publikisht u bëri thirrje për ngritjen e vetëdijes së krerëve të komunave dhe shprehu shpresën se ata do të ndryshojnë mendim në interes të qytetarëve.