Mickoski: Me raportin kemi një pasqyrë reale të gjendjes, qytetarët jetojnë rëndë, i ndryshojmë gjërat, është e dukshme lufta kundër korrupsionit

Të nderuar përfaqësues të mediave,

I nderuar Ambasador i Bashkimit Evropian,

I nderuar Ministër për Çështjet Evropiane,

Sot e pranova raportin e Komisionit Evropian, i cili i referohet vitit të kaluar, konkretisht për periudhën shtator 2023 dhe shtator 2024. Të tre qeveritë, një politike, një teknike dhe një qeveri e zgjedhur më 23 qershor të këtij viti janë të gjitha të përfshira.

Duhet realisht t'i qasemi punëve dhe të bisedojmë për sfidat e përbashkëta që na paraqiten si shtet. Nuk do të them se me vetëm dy muaj të përfshirë në raport kemi bërë mrekulli.

Edhe pa këtë raport, si njeriu i parë i Qeverisë, e di që qytetarët jetojnë vështirë dhe se na duhen hapa të mëdhenj përpara, reforma kyçe dhe ajo që ndoshta edhe është prioritet kyç për mua, ajo është lufta kundër korrupsionit.

Megjithatë, është mirë kur merr një kuantifikim dhe një pasqyrë reale të situatës. Me raportin fitojmë  pasqyrë reale, objektive të gjendjes së gatishmërisë së përgjithshme të vendit për të arritur rregullat dhe standardet evropiane, si dhe atë që është bërë gjatë vitit të kaluar Është vërejtur progres i mirë ose i caktuar në disa fusha, por edhe i kufizuar ose i pamjaftueshëm, pra nuk ka progres në disa fusha dhe tema të tjera të legjislacionit dhe standardeve evropiane.

Ajo që më inkurajon është se në këtë periudhë të shkurtër të Qeverisë së re, Komisioni Evropian ka njohur përpjekjet për të luftuar korrupsionin, diçka që nuk ishte rasti në raportin e mëparshëm.

Si në vitet e mëparshme, dobësitë më të mëdha u zbuluan sërish në grupin 1 - themelet, konkretisht në çështjet që lidhen me drejtësinë, reformën e administratës publike.

Paraardhësit tanë duhej dhe patjetër të bënin më shumë dhe më mirë, por le ta lëmë atë pas nesh, ne duhet të kapërcejmë grindjet politike dhe të fokusohemi në atë që duhet të bëjmë të gjithë së bashku. Nuk kemi kohë për të humbur.

Na pret edhe shumë punë, të gjithë neve, sepse reformat dhe rruga evropiane janë një proces afatgjatë dhe gjithëpërfshirës. Prandaj ju siguroj se ne si Qeveri e re po punojmë intensivisht dhe me përkushtim për të përmirësuar gjendjen në të gjitha fushat, veçanërisht në ato fusha të jetesës ku problemet dhe dobësitë e sistemit janë më të mëdha. Për këtë na duhet angazhim nga të gjitha nivelet e qeverisjes - ekzekutivi, por edhe legjislativi dhe gjyqësori, si dhe nga administrata jonë, dhe aktorë të tjerë në shoqëri - sektori privat, shoqëria civile, komuniteti akademik, etj.

Nuk ka tërheqje nga reformat, sepse ajo është e vetmja mënyrë që ta përmirësojmë jetën e qytetarëve tanë dhe do ta forcojmë dosjen maqedonase në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Jo vetëm për hir të plotësimit teknokratik të kushteve, por për hir të lëvizjes thelbësore përpara dhe transformimit europian në kuptimin e vërtetë të fjalës. Është përgjegjësia jonë të sigurojmë një të tashme më të mirë për të gjithë ne dhe një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm.

Dhe krejt në fund, e di që qytetarët janë të lodhur nga i gjithë procesi, dhe se padrejtësisht  jemi në pritje, por i vetmi synim i qëndrueshëm dhe strategjik për të ardhmen e të gjithëve ne mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian.