Taravari: U përballëm me sfida të shumta, e zgjidhëm problemin shumëvjeçar të specializantëve privatë dhe e përditësuam listën pozitive të barnave

Në kuadër të platformës në Qeveri - “100% të përkushtuar për ty,” e dedikuar për sektorët e shëndetësisë dhe politikës sociale, ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Taravari, theksoi disa sfida të rëndësishme në menaxhimin e sektorit të shëndetësisë.

“Duke marrë parasysh që potenciali njerëzor është shtylla mbështetëse e çdo sistemi shëndetësor, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria miratoi masën për punësimin e specializantëve privatë (300+300). Përveç kësaj mase, bëjmë përpjekje për të mundësuar edhe punësimin e 1,200 personave të tjerë,” theksoi ministri.

Ministri Taravari potencoi se, pas më shumë se 10 vite, është përditësuar lista pozitive e barnave me 9 barna të reja gjenerike, përkatësisht 87 barna në forma të ndryshme, ndërsa vazhdohet të shqyrtohen aplikimet e dorëzuara nga kompanitë farmaceutike dhe pritet që në periudhën e ardhshme lista të zgjerohet me kategori të reja barnash.

“Për këtë masë, si Qeveri morëm lëvdata nga drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Dr. Hans Kluge, në kuadër të takimit të 74-të rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kopenhagë,” theksoi ministri.

Gjithashtu, janë ndërmarrë masa për zgjidhjen e menjëhershme të një problemi tjetër shumëvjeçar në sektorin e shëndetësisë - heqja e pozicionit të drejtorit ekonomik, me qëllim të reduktimit të shpenzimeve të panevojshme dhe përmirësimit të efikasitetit në menaxhimin e institucioneve shëndetësore. Përveç problemeve të përmendura, ministri rikujtoi për realizimin e disa projekteve infrastrukturore në institucionet shëndetësore publike, si dhe investimet në pajisje të reja mjekësore.