Fillkov: Sistemi efikas i gjyqësorit është faktor kyç për sundimin e së drejtës

Sistemi efikas i gjyqësorit nuk është vetëm një nga parakushtet kryesore për krijimin e mjedisit të favorshëm për investime dhe të orientuar për biznes, por është edhe parakusht kyç për luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe garanci për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, tha ministri i Drejtësisë Igor Fillkov në hapjen e sesionit të 15-të të Konventës Nacionale të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Aspekti kryesor i efikasitetit, sipas ministrit është kohëzgjatja e proceseve gjyqësore.

“Palët para gjykatave presin që rastet e tyre të zgjidhen nga gjyqtarë të pavarur dhe profesionistë, me miratimin e aktgjykimeve brenda një afati të arsyeshëm. Kohëzgjatja e proceseve, fatkeqësisht, edhe 25 vjet pas aplikimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut të vendit, është ende një nga shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut, të gjeneruara nga vetë gjykatat. Me këtë, në vend se gjykatat të mbrojnë të drejtat e njeriut, ato i shkelin ato, gjë që është vërtetuar nga vendimet e shumta të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ndaj vendit tonë, ku shkeljet më të shpeshta janë përcaktuar pikërisht për të drejtën e gjykimit të drejtë në afat të arsyeshëm, sipas nenit 6 të Konventës Evropiane për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut”, theksoi Fillkov.

Duke iu referuar Raportit për progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ministri Fillkov tha se ekzistojnë mënyra të ndryshme për zgjidhjen e problemeve të identifikuara në aspektin e efikasitetit, si: reformimi apo ndryshimi i legjislacionit procedural, përcaktimi i afateve dhe afateve kohore për aktivitete të caktuara ose fazat e procedurave gjyqësore, modifikimi i rrjetit gjyqësor dhe juridiksionit të gjykatave, krijimit të procedurave elektronike për disa lloje çështjesh.

“Ne do të vazhdojmë me hapat reformues derisa të ndryshojë perceptimi i qytetarëve, por edhe vlerësimet e Komisionit Evropian se në vendin tonë ekziston sistem gjyqësor tërësisht të reformuar dhe të pavarur, të vendosur mbi themele të shëndosha. Në tre muajt e kaluar kemi pasur shumë për të bërë dhe në të njëjtën kohë kemi analizuar se ku janë dobësitë. Në bazë të moskonzistencës, skandaleve dhe vendimeve kontroverse që kanë ndodhur deri më tani, për fat të keq, pothuajse çdo ditë shohim se ku duhet të ndërhyhet më së shumti dhe më urgjentisht”, tha Fillkov.

Reformat në gjyqësor po zhvillohen në përputhje me Strategjinë Zhvillimore Sektoriale për Gjyqësorin për periudhën 2024-2028 me Planin e saj të Veprimit. Në periudhën e ardhshme, prioritet kyç është riaktivizimi i Këshillit për monitorimin e zbatimit të Strategjisë Zhvillimore Sektoriale për Gjyqësorin.

Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të punojë me përkushtim edhe në periudhën e ardhshme për të siguruar të gjitha parakushtet që nevojiten për rritjen e efikasitetit të procedurave gjyqësore dhe cilësisë së drejtësisë.