Çupovska - Ristova: Kontributi i Maqedonisë në sigurinë rajonale është valorizuar dhe konfirmuar në mënyrë të përshtatshme nga të gjithë aleatët e NATO-s

Sekretarja shtetërore në Ministrinë e Mbrojtjes, Elizabeta Çupovska - Ristova në panel diskutimin theksoi se vendi ynë është i sigurt dhe stabil, fakt që është konfirmuar edhe nga Këshilli i Sigurimit. Çupovska-Ristova shtoi se vendi në mënyrë aktive kontribuon në sigurinë rajonale dhe kolektive të Aleancës.

“Kontributi i Maqedonisë në sigurinë rajonale është valorizuar dhe konfirmuar në mënyrë të përshtatshme nga të gjithë aleatët e NATO-s”, tha Çupovska-Ristova dhe shtoi se “ne kontribuojmë aktivisht në garantimin e sigurisë kolektive dhe këtë e dëshmojmë me pjesëmarrjen tonë në forcat shumëkombëshe që janë vendosur në Letoni, Bullgari dhe Rumani”.

Në lidhje me situatën dhe sfidat aktuale në mbrojtjen, Çupovska-Ristova tha se është hasur në situatë sfiduese financiare, por se me analizën adekuate të situatës dhe ndarjen e mjeteve me ribalancimin e buxhetit janë siguruar mjete financiare për shlyerjen e të gjitha detyrimeve të papaguara dhe aktuale ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë dhe punonjësve të mbrojtjes për vitin 2024 dhe për vitin 2025.

Çupovska-Ristova iu referua edhe modernizimit të ushtrisë, i cili po zhvillohet sipas planeve, bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët, si dhe buxhetimin e mbrojtjes, ku tha se “një nga prioritetet kyçe për të cilat është duke punuar Qeveria është sigurimi i financimit të qëndrueshëm në mbrojtje”.

Sekretarja shtetërore shtoi se vitin e ardhshëm buxheti i mbrojtjes do të jetë mbi 2 për qind i prodhimit bruto të brendshëm.