Fetai zhvilloi takim me Ministrin Manja: Drejtësia duhet të prodhoj rezultate

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, z. Arben Fetai, zhvilloi një takim pune me Ministrin e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, z. Ulsi Manja. Takimi u përqendrua në disa nga çështjet më të rëndësishme që lidhen me procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Z. Fetai shprehu mirënjohjen për mikpritjen vëllazërore dhe theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi të fortë mes dy vendeve për adresimin e sfidave të përbashkëta. Diskutimet u fokusuan në agjendat reformuese të dy qeverive, përfshirë në sistemin e drejtësisë, forcimin e bashkëpunimit kundër korrupsionit dhe avancimin e qeverisjes së mirë.

Një nga temat kryesore të takimit ishte angazhimi i përbashkët për forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e transparencës, të cilat janë elementë kyçe për përparimin e të dyja vendeve në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe për garantimin e stabilitetit rajonal.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm për avancimin e marrëdhënieve mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke forcuar bashkëpunimin në fusha strategjike me rëndësi për zhvillimin e të dyja vendeve.