Pas Vitit të Ri do të dalim me kushtet dhe mënyrën se si çiftet e reja të martuara do të mund të marrin pjesë në projektin “Bli shtëpi për të rinj” me kushte të favorshme, deklaroi zëvendësi i kryetarit të Qeverisë dhe ministër për Transport, Aleksandar Nikolloski.
“Dua të njoftoj se nga viti i ardhshëm do të fillojmë të zhvillojmë projektin “Bli shtëpi për të rinj”, i cili duhet t'u mundësojë shumë çifteve të reja të martuara të kenë shtëpinë e tyre me kushte jashtëzakonisht të favorshme. Prandaj jemi duke i përgatitur planet dhe pas Vitit të Ri do të dalim me propozime konkrete se në cilat komuna mund të realizohet kjo dhe se si çiftet e reja të martuara të marrin mbështetje dhe ndihmë për shtëpinë e tyre”, tha ministri Nikolloski.
Sot ai mbajti fjalim në ngjarjen e organizuar nga Lidhja e Odave ekonomike lidhur me zgjidhjet inovative për shtëpitë inteligjente.
“Propozimet inovative nënkuptojnë përshpejtim të rritjes ekonomike. Përveç kësaj, ka edhe një segment tjetër që ka të bëjë me arsimin e dyfishtë dhe mendoj se është çelës për gjeneratat e ardhshme dhe diçka që duhet të ofrojë mundësi të re për ekonominë maqedonase. Këtu përfshijmë edhe zgjidhjet inovative për sa i përket mënyrës së ndërtimit dhe ndërtimit të objekteve. Ne si Qeveri jemi në dispozicion për të mbështetur iniciativa të tilla”, tha ministri Nikolloski.