Donacioni korean për MÇE: Takimi i Murtezanit me ushtruesen e detyrës në Ambasadën e Republikës së Koresë

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot zhvilloi takim me ushtruesen e detyrës në Ambasadën e Republikës së Koresë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me seli në Sofje, znj. Ço Xhi Ji, me rastin e pranimit të donacionit nga populli korean.

Donacioni, që është pjesë e ndihmës me grante për projektin “Fuqizimi i kapaciteteve të Ministrisë për Çështje Evropiane”, përfshin automjete, pajisje TI dhe pajisje zyre me vlerë rreth 27 milionë denarë, ndërsa do të mundësojë përmirësimin e kapaciteteve teknike dhe administrative të Ministrisë.

Ministri Murtezani shprehu mirënjohje ndaj znj. Ço Xhi Ji dhe Ambasadës së Republikës së Koresë për këtë donacion, i cili reflekton mbështetjen që populli korean i jep proceseve reformuese dhe forcimit institucional.

Murtezani theksoi se, edhe pse bashkëpunimi bilateral ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Koresë është ende në fazën fillestare, ky donacion përfaqëson themel për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve të ndërsjella me përfitime. Ai nënvizoi se kjo ndihmë do të kontribuojë për rritjen e efikasitetit në përmbushjen e detyrimeve në procesin e integrimit evropian, si dhe në koordinimin e ndihmës së donatorëve.

Gjithashtu, ai shprehu bindjen se kjo mbështetje do të shfrytëzohet plotësisht për të përmirësuar kapacitetet institucionale dhe do të kontribuojë në arritjen e qëllimit të përbashkët – ndërtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut moderne, stabile dhe të qëndrueshme, e cila është gati të bëhet pjesë e familjes evropiane.