Të nderuar qytetarë, të nderuara media,
Konferenca e sotme për shtyp i kushtohet komponentit për zhvillim të propozim-buxhetit në pjesën e digjitalizimit. Qëllimi jonë si Qeveri është ta transformojmë shoqërinë maqedonase në shoqëri digjitale.
Nëse krahasohet totali i projekteve të Ministrisë për projekte informative dhe të komunikimit me atë të së kaluarës, mund të konstatohet se ai është 200% më i lartë - gjegjësisht nga 154 milionë denarë në vitin 2023, 182 milionë denarë në vitin 2024, në 365 milionë denarë në vitin 2025.
Në pjesën e projekteve individuale për vitin 2025 është paraparë ndërtimi i - Qendrës bashkëkohore primare të të dhënave (DATA CENTER) në Shkup, që paraqet investim kapital që paralajmërohet me vite. Në këtë moment, të gjitha sistemet shtetërore janë fizikisht në institucionet e tyre kompetente, një pjesë e madhe e tyre në kushte joadekuate që shkaktojnë një jetë më të shkurtër të pajisjeve, versione të softuerit të pa përditësuar dhe me shkallë të lartë rreziku nga sulmet kibernetike.
Projekti parashikon ndërtimin e një qendre primare të dhënash qeveritare, ku të gjitha organet e administratës shtetërore do të bashkëvendosin pajisjet e tyre. Me këtë, nga njëra anë, shteti do të arrijë kursime të konsiderueshme për shërbimet e kolokimit. Kjo nënkupton përfshirjen e sistemeve të ftohjes, sigurisë, sistemeve të mbrojtjes nga zjarri, mbikëqyrjes dhe mirëmbajtjes së hapësirave,ndërsa nga ana tjetër do të mundësojë një transformim digjital të përshpejtuar. Ky është një projekt shumëvjeçar, por në fillim të vitit 2025 është planifikuar një studim fizibiliteti i cili do të përcaktojë standardet teknike për ndërtimin e qendrës, vendndodhjen dhe mënyrën e sigurimit të qëndrueshmërisë.
Vlera totale e parashikuar e projektit është deri në 40 milionë euro, ndërsa për vitin e ardhshëm me buxhetin janë siguruar 2 milionë euro për studimin e fizibilitetit dhe fillimin e ndërtimit.
Po ashtu, në buxhet janë siguruar 40 milionë denarë dhe përmes mjeteve tjera të projektit do të punohet në digjitalizimin e shërbimeve publike më të shfrytëzuara nga qytetarët dhe kompanitë. Këtë do ta arrijmë sipas një metodologjie të përcaktuar posaçërisht për digjitalizimin e shërbimeve publike. Dërgimi elektronik i kërkesave për të gjitha shërbimet publike të disponueshme pranë institucioneve dhe marrja elektronike e dokumenteve të nevojshme, nëpërmjet kompjuterit ose smartfonit. Institucionet do të kenë mundësinë të përdorin mjetet e tyre të identifikimit për të nënshkruar këto dokumente të kërkuara. Fillimisht digjitalizohen marrja e shtetësisë nga Ministria e Punëve të Brendshme, shërbimet e Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amë, Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor dhe Kadastra. Kjo do të thotë se do të sigurojmë më shumë se 200 shërbime të reja në portalin Uslugi.gov.mk, që do ta dyfishojë numrin e shërbimeve të disponueshme.
Gjithashtu, të nderuar, përmes projektit me vlerë prej 60 milionë denarë do të punojmë në një sistem përmes të cilit do të sigurohet ndërlidhja e institucioneve me shperndarjen e dokumenteve. Në këtë moment, vetëm 22 institucione përdorin një sistem të përbashkët për punën elektronike dhe përmes këtij projekti do të rrisim numrin e institucioneve për së paku 10. Do të rritet edhe numri i dokumenteve që do të krijohen dhe nënshkruhen tërësisht në mënyrë digjitale, pa përdorur letër dhe të njëjtat do të mund të ndahen dhe të ruhen në formatin digjital.
Transformimi digjital nënkupton ndërlidhje më të fortë dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë ne, prandaj në vetëm pak muaj pas marrjes së pushtetit ne parashikuam 80 shërbime të reja elektronike, rritje të ndërlidhjes së institucioneve dhe fokus në sigurinë kibernetike. Nëpërmjet këtyre projekteve dhe investimit në digjitalizim, ne sigurojmë pozicionin tonë në botën digjitale.