Fetai takoi Dukajn, të thellohet bashkëpunimi i faktorit shqiptar në rajon

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, takoi dje në Podgoricë ministrin e Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, me të cilin konfirmuan marrëdhëniet e mira miqësore mes dy vendeve duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Zëvendëskryeministri Fetai njoftoi nikoqirin Dukaj për zbatimin e agjendës reformuese me theks të veçantë për rëndësinë e zbatimit të strategjive kundër korrupsionit dhe transparencës, si dhe rivendosjes së bashkëpunimit me Sektorin Civil.

“Po përgatisim ndryshime të disa ligjeve për reformën në drejtësi, administratë dhe për të forcuar luftën kundër korrupsionit”, tha Fetai, duke shtuar se vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe ndërtimit të Korridorit 8 dhe lehtësimit të procedurave për lëvizjen e qytetarëve në rajon. Ai poashtu foli edhe për rolin e faktorit shqiptar në qeveri dhe përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në sistem, duke garantuar përfaqësimin e drejtë dhe adekuat me ligj të veçantë dhe duke shtuar fondet për komunat shqiptare. 

Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, Fetai tha se pret përparim të shpejtë nëse nga qeveria e re bullgare merren garanci se nuk do të ketë kushte të reja.

Ministri Dukaj prezantoi rezultatet nga negociatat me BE-në dhe për raportin pozitiv për kapitujt 23 dhe 24. 

“Nga katër kapituj që pritet të mbyllen, tre janë rezultat i punës së resorëve të drejtuar nga përfaqëuesit shqiptar në Qeveri”, tha Dukaj duke përmendur edhe përpilimin e Ligjit të ri për vetëqeverisje lokale, i cili do të garantojë kompetenca dhe burime të reja finansimi edhe për komunat shqiptare.

Ai theksoi përparimin në fushën e digjitalizimit, mbrojtjes nga sulmet kibernetike dhe ngritjen e një qendre trajnimi kundër krimit kibernetik.