Kontroll i përforcuar mbi shfrytëzimin e burimeve minerale – Memorandum ndërmjet Ministrisë së Energjetikës dhe DAP-it

Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) nënshkruan Memorandum bashkëpunimi, që ka për qëllim përmirësimin e procesit të kontrolleve inspektuese dhe mbikëqyrjes mbi koncesionarët që shfrytëzojnë burimet minerale në Maqedoni.
Me këtë dokument, të dy institucionet forcojnë qëllimin e përbashkët – të sigurojnë shfrytëzim transparent, ligjor dhe efikas të resurseve kombëtare, me fokus të qartë në mbrojtjen e interesit publik dhe rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike.
Ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, theksoi se bashkëpunimi me DAP-in është një hap drejt krijimit të një sistemi më të mirë për monitorimin dhe kontrollin e punës së koncesionarëve.
“Shteti ynë ka pasuri të konsiderueshme të mineraleve, por menaxhimi i përgjegjshëm dhe ligjor i tyre është thelbësor për rritjen ekonomike dhe mbrojtjen e burimeve natyrore. Me këtë memorandum, ne bashkojmë ekspertizën e Ministrisë dhe kapacitetet e DAP-it për të forcuar proceset inspektuese dhe për të siguruar që çdo subjekt që shfrytëzon burimet kombëtare ta bëjë këtë në mënyrë ligjore dhe të përshtatshme,” deklaroi ministrja Bozhinovska.
Drejtoresha e DAP-it, znj. Elena Petrova, theksoi se kjo marrëveshje do të sjellë një nivel të ri sinergjie ndërmjet dy institucioneve, përmes shkëmbimit të informacionit, njohurive dhe mjeteve praktike për kontroll inspektues.
“Me punë të përbashkët do të sigurojmë më shumë efikasitet në ndjekjen e të ardhurave dhe detyrimeve të koncesionarëve, gjë që do të kontribuojë në rritjen e mjeteve buxhetore dhe shpërndarjen e drejtë të burimeve,” tha Petrova.
Në kuadër të Memorandumit, parashikohet që të mundësohet shkëmbim i shpejtë dhe efikas i të dhënave, koordinim dhe njoftime në procedurat për ndjekjen e pagesave të tarifave për kryerjen e studimeve të detajuara gjeologjike dhe për koncesionet mbi shfrytëzimin e lëndëve të para minerale, gjë që do të përmirësojë shpejtësinë dhe saktësinë e kontrolleve.
Ministria e Energjetikës dhe DAP-i mbeten të përkushtuara ndaj vizionit të përbashkët për përdorimin transparent dhe të drejtë të burimeve kombëtare, me qëllim sigurimin e stabilitetit ekonomik dhe përfitimeve afatgjata për qytetarët e Maqedonisë.