Zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në Samitin “Ukraina – Evropa Juglindore” në Odesa

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Izet Mexhiti, mori pjesë në Samitin “Ukraina – Evropa Juglindore”, në Odesa të Ukrainës.

Samiti, i hapur nga Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, është vazhdim i takimeve të mëparshme të mbajtura në Athinë, Tiranë dhe Dubrovnik, me pjesëmarrje të përfaqësuesve të lartë nga vendet e Evropës Juglindore. Qëllimi kryesor i samitit është mbështetja për Ukrainën dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe sigurisë.

Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri Mexhiti shprehu mirënjohje për mikpritjen e autoriteteve ukrainase dhe riafirmoi mbështetjen e palëkundur të Maqedonisë së Veriut për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.

“Jemi të bashkuar përballë sfidave që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe rendin ndërkombëtar. Dënojmë fuqishëm agresionin rus dhe kërkojmë ndaljen e menjëhershme të luftës,” – theksoi ai.

Zëvendëskryeministri Mexhiti theksoi gjithashtu përkushtimin e vendit për bashkëpunim të thelluar rajonal dhe ndërtimin e një Evrope të sigurt, paqësore dhe demokratike.