Interes i madh për vetëpunësim – mbi 2.500 aplikime brenda katër ditëve

Në sallën e kinos “Manaki” në Manastir sot u prezantuan masat nga Plani Operativ për punësim për vitin 2025. Para një numri të madh qytetarësh, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, Agjencisë për Mbështetje të Sipërmarrësisë dhe Agjencisë për Punësim i prezantuan masat nga Plani Operativ, me theks të veçantë në tre nënmasat e masës për vetëpunësim (sipërmarrësi), për të cilat janë shpallur thirrje publike dhe të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë deri më 20 qershor.

– Me masat për vetëpunësim të gjithë personave të papunë u ofrojmë mbështetje financiare për hapjen e një biznesi të vetin, që varion nga 7.000 deri në 10.000 euro, ndërsa për bashkëpunim të dy personave, mbështetja është nga 14.000 deri në 20.000 euro. Interesi për këtë thirrje publike është jashtëzakonisht i madh dhe vetëm në katër ditët e para janë paraqitur mbi 2.500 persona. I ftoj të gjithë të interesuarit të aplikojnë në cilindo nga 30 Qendrat për Punësim të Agjencisë për Punësim në të gjithë vendin – tha zëvendësministri Risteski.

Në ditën informuese në Manastir ishin të pranishëm edhe krerët e komunave të Manastirit dhe Novacit, Toni Konjanovski dhe Stevçe Stevanovski, si dhe përfaqësues nga komunat Mogillë, Resnjë dhe Demir Hisar, të cilët i përshëndetën masat dhe apeluan te banorët e komunave të tyre të shfrytëzojnë përfitimet dhe të aplikojnë në thirrjet publike.

Në kuadër të masës 1 “Mbështetje për vetëpunësim (sipërmarrësi)” janë në vijim tre thirrje publike me të cilat u jepet mundësi më shumë se 1700 personave të hapin biznesin e tyre, dhe përfshijnë:

Mbështetje financiare në formë granti deri në 7.000 euro për persona mbi 29 vjeç për themelimin dhe nisjen e një biznesi.

Mbështetje financiare në formë granti deri në 10.000 euro për të rinj deri në moshën 29 vjeç për themelimin dhe nisjen e një biznesi.

Mbështetje financiare për bashkimin e dy personave në një SHPK, që arrin nga 14.000 deri në 20.000 euro, varësisht nga grupet e synuara.