Të nderuar,
Si Qeveri, duam ta informojmë opinionin se në mbledhjen e sotme u shqyrtua mendimi i Ministrisë së Drejtësisë, pas së cilit Qeveria hapi një diskutim serioz.
Duke vepruar në bazë të konkluzionit të miratuar në mbledhjen e mëparshme qeveritare, me të cilin e obliguam Ministrinë e Drejtësisë të ndërmarrë veprimet për fillimin e procedurës për shkarkimin e Prokurorit Publik, Ministria e Drejtësisë dorëzoi një mendim në të cilin janë evidentuar gjendjet e mëposhtme:
Së pari: është dëmtuar reputacioni i institucionit që drejtohet nga Prokurori Publik, pasi ruajtja e reputacionit të institucionit është një detyrim që buron nga Ligji për Prokurorinë Publike, konkretisht neni 4, paragrafi 1.
Më tutje, i gjithë opinioni gjatë kësaj periudhe ka qenë dëshmitar i një sërë skandalesh, funksionimit të dëmtuar të Prokurorisë Publike, veprimeve të jashtëligjshme dhe korrupsionit, joefikasitetit dhe shkeljes së parimeve dhe pavarësisë në ushtrimin e funksioneve të prokurorëve.
Këto gjendje janë plotësisht në kundërshtim me detyrimet që rrjedhin nga kompetencat ligjore.
Nuk bëhet fjalë vetëm për perceptimin e Qeverisë, por kjo është konstatuar edhe nga ekspertët edhe në raporte që përmbajnë tregues konkretë, të matshëm dhe objektivë.
Në këtë drejtim, Qeveria vlerëson se kontributi i Prokurorit Publik për këto gjendje është i konsiderueshëm dhe është rezultat i një sërë mangësish dhe shkeljesh në veprimet e tij dhe në ushtrimin e funksionit.
Këto veprime, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda në funksionimin e Prokurorisë Publike dhe përbëjnë një gabim profesional të rëndë të qëllimshëm dhe të pajustifikuar, janë argumentet ligjore me të cilat do të kërkojmë shkarkimin e Prokurorit Publik para përfundimit të mandatit.
Për më tepër, si Qeveri vlerësojmë se Prokurori Publik, përveç përgjegjësisë ligjore, i nënshtrohet ose duhet t’i nënshtrohet edhe një përgjegjësie më të gjerë shoqërore, veçanërisht para organit që e ka zgjedhur dhe mbi të gjitha para qytetarëve, interesat e të cilëve duhet t’i mbrojë.
Në përputhje me këtë mendim të konstatuar, Qeveria e obligoi Ministrinë e Drejtësisë të dorëzojë propozim për shkarkimin e Prokurorit Publik, të cilin Qeveria do ta dorëzojë te Këshilli i Prokurorëve Publik, nga ku, sipas dispozitave ligjore, është e nevojshme të merret mendim.