Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske në lidhje me faktin që Maqedonia u bë pjesë e sistemit evropian të pagesave SEPA dhe shifrat më të fundit nga statistikat për prodhimin industrial, deklaroi:
“Po, gjithashtu dua ta theksoj këtë, se më në fund si shtet u futëm në atë që quhet zona evropiane e pagesave në euro. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se diaspora jonë, e cila ka një bankë dhe një llogari në njërën nga bankat e Bashkimit Evropian, kur të transferojë një dotacion këtu te ne, te një person fizik që ka llogari në një nga bankat komerciale, transferimi do të realizohet menjëherë, pa pritur ditë të tëra dhe pa kosto shtesë. Dhe pa përqindje apo shpenzime shtesë. Nëse kemi parasysh që këto dotacione në baza vjetore mund të jenë më shumë se një miliard euro, qytetarët do të kursejnë mes 50 dhe 60 milionë euro. 50 deri në 60 milionë euro janë aq sa qeveria e kaluar, përmes taksës së luksit ose ashtu siç e quajti LSDM-ja, ua mori qytetarëve, ndërsa tani ne si Qeveri duhet ta paguajmë, si rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Qytetarët do të kursejnë kaq shumë çdo vit dhe menjëherë do t’i shohin paratë në llogaritë e tyre, pa pritur ditë të tëra si më parë. Këtë e bëri kjo Qeveri. Ekipit që ishte i përfshirë, unë i përgëzoj për këtë arritje. Po ashtu, dua të theksoj edhe rolin e Bankës Popullore dhe gjithë ky proces përfundoi me sukses, proces të cilin qeveria e mëparshme nuk e kishte fare në horizontin e vendimmarrjes. Ne, brenda një periudhe prej tetë muajsh, ia dolëm, duke treguar edhe një herë qartë për Evropën dhe botën se qëllimi ynë i dytë strategjik, përveç anëtarësimit në NATO, është edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian, duke përmbushur rezultate konkrete. Diçka që në të kaluarën ishte e pamundur.
Sa i përket treguesve ekonomikë, gjithashtu mund të shpreh kënaqësinë time. Sepse, ja, pas gjashtë muajsh, arritëm të arrijmë në një situatë zero. Kur them situatë zero, strategjia jonë kishte tre hapa. Së pari, ndalja e rënies së lirë, e cila ishte e dukshme dhe që qytetarët e ndjenin. Duhej ta ndalonim atë. Pastaj, të arrinim në një gjendje zero – kjo ishte faza e dytë.
Dhe tashmë, nga gjendja zero, të fillojmë të ngrihemi lart. Disa thoshin se për të arritur në një situatë zero, ndoshta do të duheshin një deri në një vit e gjysmë. Unë jam vërtet i kënaqur që, edhe pas vetëm gjashtë muajsh, ne kemi arritur në një pikë ku mund të themi se më në fund, prodhimi industrial u rrit këtë muaj janar me 1,4%. Kjo është një gjë e mirë, veçanërisht me fokus te industria përpunuese.
Ende kemi rënie në sektorin e minierave dhe industrinë e automobilave, për shkak të uljes së porosive nga Gjermania dhe krizës në industrinë e automobilave. Dhe gjithashtu në pjesën e furnizimit me energji elektrike dhe klimatizim. Mendoj se në muajt e ardhshëm edhe aty do të ketë përmirësime, pasi situata në EMV tashmë është konsoliduar.
Megjithatë, në të gjitha sektorët e tjerë, përfshirë edhe produktet ndërmjetëse, ka rritje. Kështu që kjo rritje prej 1,4% e prodhimit industrial është inkurajuese. Inkurajuese është edhe ulja e papunësisë dhe rritja e punësimit. Kjo do të thotë se numri i të punësuarve po rritet, që nënkupton se po rritet numri i atyre që krijojnë vlerë, që janë të aftë për punë dhe punojnë intenzivisht.
Por gjithashtu, duhet të theksoj edhe një gjë tjetër, se eksporti është rritur për 5% gjatë muajit janar. Diçka që nuk është vërejtur që nga qershori i vitit 2023. Eksporti është rritur për 5%. Dhe nëse muaji i parë i tremujorit të parë tregon këto performanca, unë pres që trendi i rritjes së Bruto Prodhimit Vendor të vazhdojë.
Dhe nuk do të isha i befasuar nëse gjatë këtij tremujori të parë do të arrijmë një rritje prej 4 deri në 4,5% ose edhe më shumë. Kështu që, me kënaqësi mund të them se objektivi ynë për të arritur në një situatë zero si Qeveri, tashmë është arritur. Tani duhet të vazhdojmë, nuk duhet të relaksohemi, duhet të vazhdojmë edhe në muajt që vijnë. Të analizojmë shifrat dhe të vazhdojmë të punojmë për mirëqenien e qytetarëve."