Qeveria e nisi seancën e sotme me një minutë heshtje për të nderuar personat që humbën jetën në tragjedinë në Koçan.
Në seancën e jashtëzakonshme të qeverisë, pas ngjarjes tragjike në Komunën e Koçanit, ku si pasojë të zjarrit në një diskotekë humbën jetën 59 të rinj, ndërsa mbi 100 persona janë të hospitalizuar dhe po marrin trajtim mjekësor, Qeveria mori vendim për të shpallë 7 ditë zie në gjithë territorin e shtetit. Çdokush duhet t'i përmbahet këtij vendimi, pasi dënimet për mosrespektim do të jenë të rigoroze. Në këto ditë, Ministria e Punëve të Jashtme do të hapë një libër ngushëllimesh brenda ministrisë për këtë fatkeqësi të madhe.
Gjithashtu, në seancën qeveritare u mor vendim që Inspektorati Shtetëror i Tregut, brenda tre ditëve të ardhshme, të kryejë një kontroll të jashtëzakonshëm në objektet e hotelierike (kabare, klube nate, diskoteka dhe diskoteka në ambiente të hapura) në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe për gjetjet nga inspektimi ta informojnë menjëherë Qeverinë që të konstatohet gjendja faktike nëse këto objekte operojnë sipas standardeve dhe i plotësojnë kushtet në përputhje me ligjet dhe rregulloret e shtetit.
Qeveria miratoi gjithashtu një konkluzion për aktivizimin e mekanizmit për kërkimin e ndihmës ndërkombëtare.
Po ashtu, Qeveria informon opinionin se, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera përgjegjëse për zbardhjen e plotë të rastit, po mblidhen prova materiale dhe se çdo person i përfshirë në këtë ngjarje tragjike dhe që me vetëdije ka kontribuar në rrezikimin e jetëve njerëzore do të nxirret para organeve të drejtësisë dhe do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij.
Askush nuk është mbi ligjin.
Shprehim ngushëllime të thella për familjet e viktimave të kësaj tragjedie për të cilën nuk ka fjalë që mund të lehtësojnë dhimbjen e humbjes së pazëvendësueshme.
Ekipet mjekësore dhe shëndetësore në të gjitha institucionet shëndetësore janë në dispozicion për të ofruar kujdes dhe ndihmë për shërimin e shpejtë të të lënduarve.
Gjithashtu, në këto momente jashtëzakonisht të vështira dhe të dhimbshme për gjithë popullin maqedonas, kërkojmë që rasti të mos politizohet, në mënyrë që institucionet të mund ta hetojnë dhe zbardhin rastin në kohë dhe siç duhet.
Asnjë informacion nuk do të fshihet nga sytë e publikut.