Turizmi, infrastruktura dhe arsimi janë sektorët në të cilët jemi fokusuar për bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe. Kemi takime të shumta në këto disa ditë, do të nënshkruajmë disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, ndërsa mundohemi të arrijmë marrëveshje për të paktën dy fluturime shtesë me Air Arabia, theksoi zëvendësi i Kryetarit të Qeverisë dhe Ministër i Transportit, Aleksandar Nikolloski, në kuadër të vizitës zyrtare të qeverisë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në vijim, deklarata e plotë e zëvendës Kryetarit të Qeverisë Nikolloski:
“E vazhdojmë vizitën në Emiratet e Bashkuara Arabe. Delegacioni i udhëhequr nga Kryeministri Hristijan Mickoski sot zhvillon takime me odat ekonomike në dy Emiratet e mëdha, Emiratin e Sharjah dhe Emiratin e Dubait. Flasim për mundësitë për investim në Maqedoni në fushën e infrastrukturës, turizmit dhe bujqësisë. Flasim për mundësitë e mëdha që turizmi i Maqedonisë i ofron, si ai malor ashtu edhe ai i liqeneve. Po ashtu, për korridorët 8 dhe 10, të cilët janë të rëndësishëm për lidhjen e gjithë Evropës, jo vetëm për Maqedoninë, i prezantojmë ato para odave ekonomike në Emiratet e Bashkuara Arabe si mënyrë për të tërhequr investitorë në Maqedoni.
Po ashtu, pjesa politike e vizitës është jashtëzakonisht e rëndësishme, kishim një takim të shkëlqyer me Presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, nesër do të kemi takim me Kryeministrin, ndërsa sot, në nivel ministrash, do të nënshkruhen disa marrëveshje të rëndësishme për bashkëpunimin ekonomik, arsimor dhe turistik, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin më të shpejtë.
Flasim gjithashtu për lidhjen direkte, tashmë kemi një marrëveshje me FlyDubai për fluturimin Dubai – Shkup, i cili pritet të nisë së shpejti, ndërsa diskutojmë gjithashtu me Air Arabia për hapjen e të paktën dy fluturimeve, nga të cilat njëri shpresoj të jetë drejt rajonit të Ohrit, për të zhvilluar në mënyrë shtesë turizmin.
Me këto takime, shpresojmë të tërheqim investitorë në Maqedoni, do hapen vende pune të reja dhe të mirëpaguara dhe shteti mund të zhvillohet” – deklaroi Zëvendëkryeministri Nikolloski.