Drejtuar: Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit të Ohrit dhe Maqedonisë z.z. Stefan, klerit, murgjërisë dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë,
Në këto ditë të shenjta të Ringjalljes së Krishtit, më lejoni t’ju përcjell urimet më të sinqerta në emrin tim personal dhe në emër të Qeverisë.
Ringjallja e Shpëtimtarit tonë është simbol i përjetshëm i fitores së jetës mbi vdekjen, i dritës mbi errësirën. Kjo Pashkë le të sjellë gëzim shpirtëror, paqe dhe bekim në çdo familje maqedonase.
Kisha Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit është shtylla e shpirtërisë dhe identitetit tonë kombëtar.
Roli juaj në ruajtjen e besimit, traditës dhe vlerave morale është i një rëndësie të pallogaritshme për shoqërinë tonë.
Në një kohë të ndryshimeve të shpejta shoqërore, përparimeve teknologjike dhe presionit global mbi vlerat tradicionale, Qeveria mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e rrënjëve të shoqërisë sonë dhe për krijimin e kushteve në të cilat familja, morali, edukimi dhe shpirtërorësia do të forcohen.
Jetojmë në kohë të vështira, plot sfida dhe tundime, dhe jam plotësisht i vetëdijshëm se shumë prej qytetarëve tanë përballen me të njëjtat probleme dhe brenga. Dua të theksoj se ne, të gjithë së bashku, duhet të punojmë për përparimin dhe mirëqenien e çdo njeriu, dhe ky rrugëtim për të siguruar të ardhme nuk është aspak i lehtë, por unë jam i vendosur fort dhe pa lëkundje që së bashku ta përshkojmë deri në fund. Së bashku t’i ndryshojmë gjërat, të luftojmë kundër pasigurisë, kundër goditjeve që synojnë të na lëkundin, dhe të qëndrojmë pas vlerave në të cilat besojmë.
Në këtë rrugë, besimi tek Zoti dhe kujdesi për të afërmin nuk janë vetëm përcaktime personale, por themele të një shoqërie të fortë dhe të përgjegjshme.
Drita e Ringjalljes le të jetë udhërrëfyes në përpjekjet tona të përbashkëta për ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe humane.
Zoti e bekoftë Maqedoninë.
Krishti u Ringjall!
Me respekt,
Hristijan Mickoski
Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut